Viti 2026 do të nisë me një tjetër goditje për xhepat e shqiptarëve. Qeveria ka parashikuar dy rritje të njëpasnjëshme të çmimit të karburanteve, që do të hyjnë në fuqi në janar dhe korrik, duke ndikuar drejtpërdrejt kostot e jetesës dhe transportit.
Sipas projektbuxhetit të Ministrisë së Financave, akciza për karburantet do të indeksohet me 1.5% duke filluar nga 1 janari 2026, ndërsa taksës së karbonit do t’i shtohet një tjetër shtesë, duke u rritur nga 3 lekë në 4.5 lekë për kilogram nga 1 korriku i po atij viti.
Këto dy masa do të sjellin dy valë të reja shtrenjtimesh në tregun e naftës dhe benzinës — një në fillim të vitit dhe një tjetër në mes të verës.
Qeveria synon më shumë të ardhura, qytetarët më shumë kosto
Analiza fiskale e qeverisë tregon se nga këto ndryshime buxheti do të përfitojë 667 milionë lekë shtesë, ku pjesa më e madhe do të vijë nga indeksimi i akcizës.
Ndërkohë, rritja e taksës së karbonit pritet të gjenerojë edhe 84 milionë lekë të tjera, duke përfshirë efektin e TVSH-së në import.
Por ky “sukses” fiskal do të ketë çmimin e vet: kompanitë e karburanteve do ta transferojnë koston shtesë tek konsumatorët, çka do të thotë çmime më të larta në pompë, në transport, në prodhim dhe në mallrat bazë.
Shqipëria, ndër vendet më të shtrenjta për karburant në botë
Edhe pse ka një nga pagat më të ulëta në Europë, Shqipëria renditet sot ndër vendet me çmimin më të lartë të karburanteve në botë.
Më shumë se 60% e çmimit të një litri nafte përbëhet nga taksa, akciza dhe TVSH, duke e bërë çdo ndryshim fiskal një barrë të menjëhershme për qytetarët.
Ekspertët: Efekt zinxhir në ekonomi
Sipas ekspertëve të ekonomisë, rritja e dyfishtë e taksave mbi karburantet do të krijojë një efekt domino në çmime, duke ndikuar në inflacion dhe në kostot e jetesës.
“Kur rritet karburanti, rritet gjithçka — nga buka te transporti publik. Këto masa pritet të shtojnë presionin mbi konsumatorët dhe bizneset, në një kohë kur fuqia blerëse është e ulët dhe ekonomia ende e brishtë”, paralajmërojnë ekspertët.






