Qeveria ka miratuar sot shpërblimin e fundvitit për pensionistët dhe për disa kategori të tjera përfituesish, duke përcaktuar edhe mënyrën e shpërndarjes së fondeve. Pagesat pritet të kalohen në llogaritë bankare të përfituesve gjatë dhjetorit 2025, ndërsa ata që nuk e marrin bonusin deri në fund të vitit do të mund ta tërheqin deri më 30 qershor 2026. Pas kësaj date, shumave të patërhequra do t’u skadojë afati.

Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, pensionistët me pension deri në 20 mijë lekë – si edhe disa kategori të tjera në skema të veçanta të përfitimit – do të marrin një shpërblim prej 15 mijë lekësh. Në këtë grup përfshihen edhe fëmijët nën kujdesin e shtetit, veteranët e LANÇ-it, personat që marrin trajtime të veçanta financiare, si dhe punonjës që kanë shërbyer në miniera, metalurgji apo industri ushtarake, kur përfitimi i tyre mujor është deri në kufirin 20 mijë lekë.

Ndërkohë, për pensionistët me të ardhura mbi këtë prag dhe përfituesit e trajtimeve suplementare apo të vështirësisë së profesionit, bonus i fundvitit do të jetë 10 mijë lekë. Në këtë kategori hyjnë edhe përfituesit e pensioneve shtetërore suplementare dhe ata që trajtohen me skema të veçanta ligjore, kur masa mujore e pensionit është mbi 20 mijë lekë.

Kryeministri ka sqaruar se ndarja në dy nivele të shpërblimit nuk synon të penalizojë pensionet më të larta, por të mbështesë më fort pensionistët me të ardhura më të ulëta.

Përfitimi do t’u njihet të gjithë personave që hyjnë në skemë deri më 31 dhjetor 2025, pavarësisht nëse ata marrin një apo më shumë lloje përfitimesh, me kusht që bonusi të tërhiqet vetëm një herë.

Totali i fondeve të parashikuara arrin në 10.4 miliardë lekë. Prej tyre, mbi 10.3 miliardë lekë shkojnë për vetë bonuset, ndërsa rreth 72 milionë lekë për shpenzimet administrative që lidhen me shpërndarjen. Pjesa më e madhe e buxhetit sigurohet nga fondi i dedikuar për bonusin e pensionistëve, ndërsa pjesa tjetër mbulohet nga buxheti i sigurimeve shoqërore për vitin 2025. Administrimi i procesit do të kryhet nga ISSH, Posta Shqiptare dhe bankat e nivelit të dytë, sipas procedurave të zakonshme të pagesave të sigurimeve shoqërore.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe do të publikohet në “Fletoren Zyrtare”.

Pak ditë më parë, kryeministri njoftoi se përveç bonusit të fundvitit, qeveria planifikon edhe një shpërblim të dytë në pranverë. Sipas deklaratës së tij, pensionistët me pension deri në 20 mijë lekë do të marrin rreth 150 euro, ndërsa ata me pension mbi këtë shumë do të përfitojnë rreth 100 euro.