Faktikisht Edi Rama me Shqipërinë në këto dy mandate bëri të njëjtën gjë që kishte bërë, kur drejtoi bashkinë e Tiranës për 3 mandate.

Atëherë lyente fasadat, si kryeministër shpiku, “Rilindjen urbane”, e cila rezulton një projekt i shtrenjtë korruptiv që prodhoi vetëm fasada “të bukura” dhe sheshe me pllaka nëpër qytet e Shqipërisë.

Kur drejtonte Tiranën, ajo që dinte të bënte më mirë Edi Rama ishte dhënia e lejeve të ndërtimit, të cilat kishin “si bisht” edhe 20-përqindëshin siç është denoncuar edhe nga ndërtues konkretë atëherë. Në këto 8 vite bëri të njëjtën gjë me gradaçelat në kryeqytet, por shtoi edhe ngritjen e piramidave financiare për taksapaguesit shqiptarë, që janë koncesionet dhe PPP-të.

Dhe ja ku jemi vetëm 2 muaj e më pak afër ditës së zgjedhjeve dhe Edi Rama, nuk ka se çfarë të tregojë e të inaugurojë. Përveç një gjysmë Lungomare, të cilën edhe atë e ka shndërruar në “Kala Rozafa”, pasi premtoi se do të mbyllej që në vitin 2016. Pastaj e shtyu për në fund të vitit 2017 gjatë fushatës së atij viti, kurse tani shkon çdo javë aty për ta filmuar atë pjesë që është mbyllur dhe inspekton atë ku po punohet akoma edhe pas 8 vitesh, që kur ka nisur projekti.

Ishte fundjavën e kaluar në Vlorë, për të kushedi të satën herë, për tu mburrur me Lungomaren dhe disa fasada që ka bërë aty gjatë 8 viteve që është deputet i këtij qyteti dhe në krye të qeverisë.

Edhe këtë të shtunë ai sërish është mburrur me Vlorën dhe Lungomaren, nëpërmjet një postimi në Facebook.

“MIRËMËNGJES dhe me këtë Vlorë të para vetëm disa viteve që duket si një ëndërr e keqe e me Vlorën që kemi sot, ju uroj një fundjavë të qetë”, shruan Rama dhe e shoqëron mburrjen me një video krahasuese, duke i bërë plot 8 vite “në vetëm disa vjet”!

Nuk ka ndonjë problem për këto mburrje me Vlorën të bëra tashmë bajate dhe që ju doli boja vetëm me 2 ditë shi, kur “Rilindja urbane” e tij në këtë qytet u shndërrua në kënetë.

Çështja qëndron, që edhe këtë punë të vetmen me të cilën mburret, nuk e ka bërë qeveria e tij, por Bashkimi Europian përmes fondit IPA 2013.

Kjo është e vërteta që Edi Rama e shmang gjithmonë;  kjo “kryevepër” e Edi Ramës, është realizuar më së shumti nga financimet e Bashkimit Europian.

Në ato dhjetëra vizita që ai ka bërë në Vlorë, këtë fakt nuk e ka përmendur kurrë, duke e shitur siç bëri edhe mëngjesin e kësaj të shtune, si një “mrekulli” personale dhe të qeverisë së tij.

Ka qenë kjo arsyeja që vetë ambasadori i BE-së Luigi Soreca  e nisi pikërisht nga Vlora më 15 korrik të vitit të shkuar, fushatën “Europa është këtu”.

“Lungomare ishte një projekt jashtëzakonisht i rëndësishëm për Bashkimin Europian. Ai e rimodeloi tërësisht Vlorën, hapi bregdetin për pamje të mahnitshme, e bëri infrastrukturën miqësore me mjedisin dhe, mbi të gjitha, ndryshoi jetën dhe biznesin e shumë banorëve. Tani ne po punojmë së bashku për një tjetër projekt të rëndësishëm: bypass-in e Vlorës. Sapo jemi kthyer nga një vizitë me kontraktorët dhe inxhinierët, dhe unë jam i lumtur që shoh se puna po përparon shumë shpejt. Bypass-i do ta ndryshojë qytetin e Vlorës ashtu siç bëri Lungomare. Ne jemi krenarë të investojmë në një projekt që po përdor teknologjinë më të përparuar në shërbim të qytetarëve shqiptarë. Por a e dinë të gjithë se është Bashkimi Europian që po e financon bypass-in e Vlorës? Shumica e njerëzve nuk e dinë këtë dhe për fat të keq kjo ndodh shpesh me mbështetjen tonë financiare. Vetëm për rrugët, BE-ja ka investuar më shumë se 110 milionë euro në 10 vitet e fundit, duke ofruar 700 km rrugë në të gjithë vendin. Ka shumë të ngjarë që, çdo ditë dhe pa e ditur, ju udhëtoni në një rrugë që e ka financuar BE-ja”, deklaroi jo pa nerv atëherë Soreca.

Pra edhe e vetmja gjë “e saktë” jo vetëm për Vlorën, por edhe në gjithë vendin,  me të cilën mburret për 8 vitet e tij në pushtet është, një projekt i BE-së dhe jo i qeverisë së tij të dështuar në mënyrën më spektakolare.

Të njëjtën gjë ka dy ditë që po bën, edhe me spitalin e Fierit. Shkon apo poston dhe nga aty çdo ditë  pamje e një spitali elektoral një dhuratë nga Turqia, ndërkohë që shifrat që iu ka dhënë miqve të tij për koncesione të dyshimta dhe jo efikase në shëndetësi, kapin qindra e qindra milion euro.