“Luan rolin e një arushi, po pengon paqen në Ukrainë”

Ish-zëdhënësja e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka dalë me deklarata të forta publike, duke hedhur akuza të rënda dhe duke përshkruar një anë të panjohur të liderit ukrainas.

Yulia Mendel, e cila ka mbajtur këtë detyrë gjatë viteve 2019–2021, rrëfen se fillimisht kishte besim të plotë dhe e kishte mbështetur Zelenskyn, madje edhe në fillimin e pushtimit rus në vitin 2022. Por sot, ajo shprehet se ai është kthyer në një nga pengesat kryesore për arritjen e paqes në Ukrainë.

Sipas Mendel, presidenti nuk është i njëjti person që shfaqet para kamerave. Ajo e përshkruan si emocionalisht të paqëndrueshëm, me reagime të forta dhe mungesë kontrolli mbi emocionet, duke shtuar se shpesh sillet ndryshe nga imazhi publik që projekton.

Ajo shprehet se Zelensky, sipas saj, nuk ka empatinë që pretendon dhe se komunikimi i tij publik përmban shpesh manipulim ose informacione të nxjerra jashtë kontekstit. Në këtë linjë, Mendel e cilëson atë si “një e keqe të fshehur”, duke shtuar se ai po grumbullon pushtet dhe po dëmton njerëzit që pretendon se po mbron.

Në deklaratat e saj, ish-zyrtarja shkon edhe më tej, duke ngritur akuza për përfshirje në skema të pastrimit të parave, të cilat, sipas saj, bazohen në dëshmi dhe biseda me persona që kanë qenë pjesë e sistemit.

Deklaratat e Mendel pritet të ndezin debat të fortë në arenën ndërkombëtare, ndërsa deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga presidenca ukrainase lidhur me këto pretendime.