Abuzime masive me tenderët dhe PPP-të
Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) mbetet i vetmi institucion që nuk është “kapur” nga presionet politike të mazhorancës, duke vazhduar të raportojë abuzimet në administratën publike dhe të evidentojë shkeljet në tendera, kontrata dhe shpenzime publike.
Kreu i KLSH, Arben Shehu, raportoi sot në Kuvend për aktivitetin e vitit 2024, duke theksuar se edhe pse shumë funksionarë janë nën hetim nga SPAK, abuzimet në ministri, bashki dhe institucione të tjera janë të përhapura.
“Rama përdori të gjitha mënyrat për të goditur KLSH-në, madje u hodh ideja për ta shkrirë. Megjithatë, ne vazhduam me korrektësi punën tonë. Sipas auditimeve të kryera, në buxhetin e shtetit është shkaktuar dëm ekonomik prej 16 miliardë lekësh”, tha Shehu.
Gjatë vitit 2024, KLSH ka kryer 159 auditime në 205 subjekte, përfshirë:
-
97 njësi të qeverisjes qendrore
-
75 njësi të qeverisjes vendore
-
13 institucione të pavarura
-
20 subjekte ende publike
Nga këto auditime, janë dhënë 194 opinione, të shoqëruara me 4,378 rekomandime dhe masa organizative e administrative, me një nivel pranueshmërie prej 90%, ku 70% janë pranuar plotësisht ose në proces.
Po ashtu, gjatë vitit 2024 janë bërë 13 kallëzime penale dhe janë dorëzuar 35 materiale në Prokurori për hetime.
Problematicat kryesore të konstatuara
Shehu theksoi shkeljet në prokurime dhe kontrata, duke përfshirë:
-
Keqvlerësim i projekteve dhe mungesë kontrolli të brendshëm
-
Kufizim të konkurrencës dhe kritere të paqarta për tenderat
-
Pagesa të tepërta ose për shërbime të pakryera, veçanërisht në shëndetësi dhe projekte PPP
Raporti evidenton gjithashtu keqklasifikim të shpenzimeve dhe të ardhurave, mungesë dokumentacioni mbështetës dhe dobësi në kontrollet e brendshme, duke deformuar pasqyrën financiare të institucioneve dhe duke ulur besueshmërinë e tyre.
Në auditimet e përputhshmërisë dhe të kombinuara janë evidentuar probleme në:
-
Zbatimin e kontratave dhe planifikimin buxhetor
-
Administrimin e burimeve njerëzore, me largime të padrejta dhe pa dokumentacion
-
Menaxhimin e kontratave PPP dhe koncesioneve, ku janë kryer pagesa për shërbime të pakryera ose të realizuara pjesërisht
Në veçanti, probleme sistemike janë identifikuar në:
-
Ministri, bashki, universitete, spitale dhe ndërmarrje publike
-
Planifikim joefektiv i prokurimeve
-
Pagesa për projekte që nuk kanë kaluar vlerësimin e duhur
-
Procedura me vetëm një operator konkurrues dhe dokumente të tenderit të paargumentuara
Raporti i KLSH për vitin 2024 tregon se abuzimet në administratën publike janë të përhapura dhe sistemike, ndërsa organi auditues mbetet institucioni i vetëm që raporton me korrektësi dhe pa ndikime politike, duke kërkuar forcimin e disiplinës buxhetore dhe respektimin e ligjit në gjithë hallkat e qeverisjes.






