Raporti i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit për periudhën janar–gusht 2025 nxjerr në pah një situatë tejet shqetësuese në administrimin e financave publike, duke evidentuar shkelje me pasoja negative për buxhetin e shtetit në vlerën totale prej rreth 2.4 miliardë lekësh.
Sipas të dhënave zyrtare të KLSH, nga kjo shumë, mbi 112 milionë lekë përbëjnë dëm ekonomik të drejtpërdrejtë, ndërsa rreth 2.29 miliardë lekë lidhen me menaxhim joefektiv dhe përdorim të papërshtatshëm të fondeve publike. Për këto problematika, institucioni suprem i auditimit ka lëshuar 148 rekomandime ndaj institucioneve qendrore dhe vendore.
Raporti evidenton se dëmi ekonomik është shpërndarë pothuajse në mënyrë të barabartë mes shpenzimeve dhe të ardhurave, ku 57% e tij lidhet me shpenzimet publike dhe 43% me të ardhurat. Në sektorin e shpenzimeve, rreth 90% e dëmit është konstatuar nga shkeljet në procedurat e prokurimit dhe në zbatimin e kontratave, duke përfshirë pagesa për punime të pakryera, punime jashtë standardeve teknike dhe mungesë të llogaritjes së kostove përfundimtare të projekteve. Vetëm këto shkelje kapin vlerën mbi 57 milionë lekë.
Ndërkohë, problematika më e madhe në fushën e të ardhurave lidhet me sektorin doganor. Sipas KLSH, rreth 96% e shkeljeve në këtë fushë kanë të bëjnë me mosarkëtim detyrimesh, përjashtime të pajustifikuara nga TVSH-ja, vlerësime të pasakta të importeve dhe trajtim të gabuar të rasteve të shkeljeve doganore.
Kontrolli ka evidentuar parregullsi serioze në një numër të madh institucionesh. Mes tyre përfshihen Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura dhe administratat rajonale të saj në disa qarqe, një sërë bashkish si Elbasani, Fieri, Saranda, Shkodra dhe Tropoja, si dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave në Rinas. Shkelje janë konstatuar gjithashtu në institucione të rëndësishme si Korporata e Investimeve Shqiptare, Drejtoria e Pronës Publike, Ministria e Financave, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, Universiteti “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, Qendra Kombëtare e Kinematografisë, Cirkut i Tiranës dhe Shkolla e Magjistraturës.
Vetëm nga menaxhimi joefektiv i të ardhurave, raporti evidenton një vlerë prej mbi 1.76 miliardë lekësh, që përbën rreth 77% të totalit të shkeljeve. Këto lidhen kryesisht me taksa dhe tarifa të pambledhura nga njësitë e qeverisjes vendore, mungesë të aplikimit të kamatëvonesave për përdorimin e pronës publike, si dhe detyrime të paarkëtuara nga shkelje mjedisore dhe aktivitete të paligjshme.
Në anën tjetër, shkeljet në shpenzime kapin vlerën mbi 523 milionë lekë, ku një pjesë e konsiderueshme buron nga praktikat problematike të prokurimeve publike dhe mungesa e disiplinës buxhetore.
Raporti i KLSH rikthen në vëmendje problematika të përsëritura të kontrollit të brendshëm financiar, përgjegjësisë së drejtuesve institucionalë dhe mungesës së ndëshkimit për shkeljet sistematike, ndërsa dëmi ndaj buxhetit të shtetit vijon të thellohet nga viti në vit.














