218 lekë/litër për shqiptarët, 45.5 mln lekë vetëm në 2025 për ligjvënësit

Ndërsa qytetarët përballen çdo ditë me rritjen e çmimit të karburantit, që ka arritur në 218 lekë për litër, dhe fermerët vuajnë mungesën e mbështetjes financiare, tabloja ndryshon ndjeshëm kur bëhet fjalë për përfaqësuesit e lartë të shtetit.

Të dhënat tregojnë se gjatë vitit 2025, Kuvendi i Shqipërisë ka shpenzuar rreth 45.5 milionë lekë për kompensimin e karburantit për 140 deputetë. Kjo përkthehet në një mesatare prej afro 325 mijë lekësh për deputet në vit, ose mbi 1.3 milionë lekë gjatë një mandati të plotë katërvjeçar.

Në një kohë kur shumë familje shqiptare përpiqen të përballojnë kostot bazë dhe fermerët llogarisin çdo shpenzim për të mbajtur gjallë aktivitetin e tyre, këto shifra krijojnë një kontrast të fortë me realitetin ekonomik në terren.

Por karburanti nuk është i vetmi përfitim. Në total, shpenzimet për përfitimet e deputetëve arrijnë në rreth 200 milionë lekë në vit, duke zënë rreth 44% të shpenzimeve operative. Në këtë shumë përfshihen pagesat për telefon, dieta, qira, si dhe rreth 60 milionë lekë për udhëtime jashtë vendit dhe 14.5 milionë lekë për automjete të reja.

Ndërkohë, politika e çmimeve për karburantet për qytetarët përcaktohet nga Bordi i Transparencës, i cili ka reflektuar rritje të vazhdueshme në treg.

Ky realitet ka nxitur kritika për një standard të dyfishtë: ndërsa qytetarët dhe sektorë të rëndësishëm si bujqësia përballen me kosto në rritje, fondet publike vijojnë të mbulojnë shpenzimet e përfaqësuesve politikë, duke i lënë ata të paprekur nga kriza që vetë vendimmarrja e tyre ndikon.