“Majlinda Cara më ka përvetësuar pronat”

Një situatë e pazakontë është regjistruar në ambientet e SPAK, ku një banore nga Kurbini ka hyrë me forcë duke kërkuar drejtësi për një konflikt të hershëm pronësie. Protagoniste e ngjarjes është Drane Gjoka, e cila akuzon Bashkia Laç dhe kryebashkiaken Majlinda Cara për përvetësim dhe dëmtim të pronës së saj.

Sipas pamjeve të publikuara nga media, gruaja shihet teksa hyn në ambientet e institucionit përmes kangjellave, ndërsa një efektiv policie përpiqet ta ndalojë dhe ta largojë. Në momentin e përplasjes, ajo dëgjohet të kërkojë takim me drejtuesit e SPAK dhe të ngrejë akuza të drejtpërdrejta ndaj autoriteteve lokale.

Gjoka pretendon se problemi i saj lidhet me një pronë ku jeton që prej viteve ’90 dhe për të cilën, sipas saj, ka edhe një vendim gjykate në favor. Ajo shprehet se, pavarësisht kësaj, prona i është dëmtuar dhe më pas përvetësuar me ndërhyrje të institucioneve vendore.

Në rrëfimin e saj, banorja thekson se banesa i është prekur nga ndërhyrje të paligjshme, përfshirë vendosjen e disa strukturave që kanë sjellë dëmtime nga ujërat. Ajo shton se ka ndjekur rrugët ligjore ndër vite, duke bërë kallëzime dhe duke iu drejtuar gjykatave, por pa marrë zgjidhje në favor të saj.

Gjoka pretendon gjithashtu se ka dërguar disa kërkesa edhe në SPAK, por nuk ka marrë përgjigje, çka e ka shtyrë të paraqitet fizikisht në institucion për të kërkuar sqarime dhe veprime konkrete.

Nga ana tjetër, oficerët e policisë i kanë bërë me dije se procedura për kallëzim duhet të ndiqet në rrugë zyrtare, përmes depozitimit me shkrim të kërkesës.