Kryeministri Edi Rama njoftoi se duke nisur nga janari, pensionet në Shqipëri do të rriten, duke përmbushur një nga premtimet elektorale të qeverisë. Ai shprehu kënaqësinë për vendimin, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm për rritjen e standardit të pensionistëve.

“Mbrëmë i përcollëm Parlamentit projektbuxhetin 2026 dhe jam i lumtur të them se ky mandat do të jetë mandati i rritjes së përvitshme të pensioneve. Tani, me një ekonomi më të qëndrueshme, mund të realizojmë atë që kemi premtuar:, të rrisim pensionet çdo vit sipas objektivave tona. Nga janari, rritja do të jetë e shpërndarë muaj pas muaji mbi indeksimin e përvitshëm”, deklaroi Rama.

Ai theksoi se, në fund të mandatit, pensionet mesatare do të arrijnë nivelin e mëposhtëm:

  • Pensioni urban me vite të plota pune: 40,000 lekë (nga 27,350 lekë aktualisht)

  • Pensioni urban i pjesshëm: 22,000 lekë (nga 15,850 lekë)

  • Pensioni rural: 18,000 lekë (nga 11,500 lekë)

  • Pensioni familjar: 18,000 lekë (nga 11,400 lekë)

Rama shtoi se në vitet në vijim këto shifra do të dyfishohen, trefishohen dhe katërfishohen vit pas viti.