Qeveria po përgatit ndryshime të rëndësishme në ligjin për sektorin e energjisë elektrike, duke synuar forcimin e disiplinës së pagesave dhe uljen e detyrimeve të papaguara.

Projektligji i hedhur për konsultim publik parashikon detyrimin e qartë për konsumatorët që të shlyejnë faturat e energjisë sipas kontratës së furnizimit. Në rast mospagese, furnizuesi fiton të drejtën të ndjekë një sërë hapash ligjorë, që nisin nga njoftimi zyrtar, kalojnë në ndërprerjen e energjisë dhe mund të përfundojnë në procedura përmbarimore.

Risia kryesore e këtij projektligji është mundësia e vendosjes së barrës hipotekore mbi pasurinë e paluajtshme që furnizohet me energji. Kjo masë parashikohet të aplikohet për klientët jofamiljarë, kryesisht bizneset, në rastet kur detyrimi i papaguar tejkalon 1.5 milion lekë.

Në thelb, barra hipotekore e lidh drejtpërdrejt borxhin me pronën, duke kufizuar përdorimin e saj deri në shlyerjen e detyrimit. Kjo e transformon faturën e energjisë nga një detyrim i zakonshëm financiar në një përgjegjësi që prek drejtpërdrejt pasurinë.

Projektligji ruan gjithashtu statusin e faturës së energjisë si titull ekzekutiv, çka i lejon furnizuesit të ndjekë procedurat e përmbarimit pa kaluar në procese të gjata gjyqësore.

Edhe pse termi “sekuestrim” nuk përmendet në mënyrë eksplicite, kombinimi i barrës hipotekore me mekanizmat e përmbarimit krijon bazën ligjore që, në rast mosshlyerjeje të detyrimit, të çojë deri në ekzekutimin e pasurisë sipas legjislacionit në fuqi.

Ndryshimet synojnë të reduktojnë borxhet e këqija në sektorin energjetik, duke vendosur një qasje më të fortë ndaj mospagesës, ndërkohë që paralelisht parashikohen edhe më shumë garanci për transparencë dhe informim të konsumatorëve mbi faturimin dhe çmimet.