Ndryshimet e fundit ligjore, të publikuara në Fletoren Zyrtare si pjesë e paketës fiskale, e përfshijnë tashmë në mënyrë të qartë edhe aktivitetin ekonomik që zhvillohet në internet. Ligji njeh si veprimtari tregtare çdo formë gjenerimi të të ardhurave online, nga blogerët te influencerët në rrjete sociale.
Sipas dispozitave të reja, çdo individ që fiton para përmes platformave digjitale konsiderohet subjekt tregtar dhe ka detyrimin të bëjë publike të dhënat bazë identifikuese, përfshirë NIPT-in, emrin e subjektit, adresën dhe kontaktin. Këto informacione duhet të jenë të aksesueshme në faqen ose profilin ku ushtrohet aktiviteti.
Ligji përcakton gjithashtu mënyrën se si administrata tatimore do të identifikojë aktivitetet online që gjenerojnë të ardhura. Pas një njoftimi zyrtar nga autoritetet tatimore, individët që përfitojnë të ardhura nga rrjetet sociale do të detyrohen të formalizojnë veprimtarinë e tyre. Identifikimi do të bazohet kryesisht në analizën e të ardhurave të depozituara në llogaritë bankare personale.
Audituesi ligjor Avni Tobli thekson se ky është një standard që prej vitesh zbatohet për bizneset tradicionale dhe tashmë po shtrihet edhe në ekonominë digjitale. Sipas tij, shumë influencerë kanë nisur vetë të formalizohen, pasi edhe kompanitë me të cilat bashkëpunojnë kërkojnë faturë tatimore për pagesat e kryera. “Publikimi i të dhënave të subjektit është një praktikë normale për çdo biznes dhe duhet të jetë i tillë edhe për ata që ushtrojnë aktivitet në rrjetet sociale”, shprehet Tobli.
Për ata që nuk zbatojnë detyrimet ligjore, parashikohen masa ndëshkuese. Nëse brenda 15 ditëve nga marrja e njoftimit zyrtar nuk publikohen të dhënat e kërkuara, administrata tatimore mund t’i kërkojë AKEP-it bllokimin e llogarive në rrjete sociale, si dhe vendosjen e gjobave për rastet e mosbindjes.
Nevoja për këto ndërhyrje ligjore erdhi edhe si pasojë e kontrolleve të kryera nga tatimet. Të dhënat zyrtare tregojnë se vetëm nga monitorimi vjetor janë identifikuar rreth 100 profile në rrjete sociale që gjatë vitit 2025 kanë gjeneruar mbi 33 milionë euro të ardhura, të depozituara në llogari bankare individuale. Sipas ekspertëve, këto shifra tregojnë rritjen e shpejtë të ekonomisë online, por edhe nivelin e lartë të informalitetit, i cili synohet tashmë të përfshihet plotësisht në sistemin tatimor.






