Çmimi i naftës në pikat e karburantit në Durrës është rritur këtë të premte, duke arritur në 182 lekë për litër, nga 175 lekë që ishte më parë.

Rritja prej 7 lekësh për litër lidhet me zhvillimet në tregjet ndërkombëtare të energjisë, të ndikuara nga tensionet dhe konflikti në Lindjen e Mesme. Sipas të dhënave nga bursat ndërkombëtare, çmimi i një fuçie nafte është rritur me rreth 20 për qind krahasuar me një javë më parë.

Paqëndrueshmëria në rajon po krijon pasiguri për furnizimin me energji. Një përshkallëzim i mëtejshëm i konfliktit mund të ndikojë në rrugët tregtare dhe në infrastrukturën e prodhimit dhe përpunimit të naftës dhe gazit, duke ushtruar presion shtesë mbi çmimet.

Deri tani, autoritetet shqiptare nuk kanë njoftuar masa për të frenuar rritjen e çmimeve në tregun e karburanteve. Ndërkohë, në Kosovë qeveria ka ndërhyrë duke vendosur një tavan për marzhin e fitimit të tregtarëve.

Shoqata e Hidrokarbureve paralajmëron se nëse trendi i rritjes në tregjet ndërkombëtare vazhdon, çmimi i naftës në Shqipëri mund të shkojë deri në 20 lekë më shumë për litër në javët e ardhshme.