Lista e emrave që përfitojnë

Mbi 13 mijë familje në të gjithë vendin do të përfitojnë kompensim financiar për pronat e tyre, pas vendimit të qeverisë shqiptare për shlyerjen e pjesës së mbetur prej 30% të detyrimit ndaj pronarëve.

Lajmi u bë i ditur nga ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, i cili theksoi se bëhet fjalë për një proces që synon përmbylljen përfundimtare të kompensimit për një numër të konsiderueshëm subjektesh, në kuadër të respektimit të së drejtës së pronës dhe standardeve të shtetit të së drejtës.

Sipas ministrit, shteti shqiptar ka miratuar listën me 3527 subjekte që përfitojnë këstin e fundit të kompensimit financiar, duke e konsideruar procesin të përmbyllur për këto familje. Fondi i vënë në dispozicion për këtë fazë arrin rreth 1.4 miliardë lekë, të alokuara drejtpërdrejt nga buxheti i shtetit.

Nga ana e saj, Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP) ka njoftuar se vlerat përkatëse për secilin përfitues do të kalojnë në llogaritë bankare të subjekteve në ditët në vijim, sapo të përfundojnë procedurat e transfertave bankare.

Autoritetet theksojnë se ky proces nuk përfaqëson vetëm një detyrim financiar, por edhe një hap të rëndësishëm drejt mbylljes së një kapitulli të vjetër problematik, i cili ka shoqëruar për vite me radhë çështjen e pronësisë në Shqipëri.

Më poshtë gjeni fjalimin e plotë të ministrit të Drejtësisë dhe njoftimin zyrtar të Agjencisë së Trajtimit të Pronave, të publikuara integral.

Fjala e ministrit të Drejtësisë, Besfort Lamallari

“Një tjetër lajm i mirë për të ndarë me ju sot, veçanërisht për shumë e shumë familje që përfitojnë sipas ligjit kompensimin financiar nga shteti për pronat e tyre. Ndonëse shpesh u referohemi si ish-pronarë, në fakt nga sot shteti shqiptar shlyen plotësisht dhe vë në vend përfundimisht të drejtën që u takon.

Sapo miratuam listën me plot 3527 subjekte të cilët kompensohen përfundimisht nga Agjencia e Trajtimit të Pronave, për pjesën e mbetur prej 30%.

Me një fond prej rreth 1.4 miliardë lekë, mbi 13 mijë familje përfitojnë drejtpërdrejt nga buxheti i alokuar nga qeveria shqiptare. Ky nuk është thjesht dhe vetëm një akt financiar dhe as vetëm përmbushja e detyrës sonë funksionale. Por është diçka më tepër, është një akt drejtësie. Është respekt për pronën, për ligjin dhe për qytetarin.

Me këtë pagesë që do të marrin nga sot e në ditët në vijim, kompensimi për këto familje sipas listës së publikuar në faqen zyrtare të ATP-së quhet i kryer plotësisht dhe ne mbyllim kështu një kapitull të vjetër.

Njëkohësisht jemi të vendosur të vijojmë angazhimin tonë të palëkundur për ta përmbyllur procesin e kompensimit ndaj të gjithë pronarëve. Kam kërkuar nga Agjencia e Trajtimit të Pronës të ecë sa më shpejt me këtë proces, me transparencë dhe në respekt rigoroz të ligjit, duke përmbushur kështu detyrimin që ne kemi karshi pronarëve të tjerë dhe sigurisht si pjesë e angazhimit tonë për standardet evropiane, për një shtet të së drejtës dhe për një të ardhme ku prona, ligji dhe liritë themelore janë të shenjta.

Teksa ne përparojmë çdo ditë në rrugën pa kthim drejt Bashkimit Evropian, kompensimi financiar ndaj pronarëve është përmbushja e zotimit të qeverisë shqiptare ndaj të drejtës së tyre të njohur me ligj. Faleminderit dhe gëzuar!”

Njoftimi i plotë i Agjencisë së Trajtimit të Pronave (ATP)

N J O F T I M
PËR SHPËRNDARJEN E FONDIT TË KOMPENSIMIT NË VLERË PËR PRONARËT E PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMET INFORMALE

Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP) njofton se, më datë 30.12.2025, ka përfunduar procesin e shqyrtimit për 3527 (tre mijë e pesëqind e njëzet e shtatë) kërkesa, të cilat përfitojnë këstin e fundit të kompensimit në të holla në një total prej 30% të vlerës totale të miratuar me VKM-të përkatëse.

Procesi i shqyrtimit të këtyre kërkesave dhe i shpërndarjes së fondit të kompensimit është bazuar në ligjin nr. 9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, i ndryshuar, në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 383, datë 19.05.2010 “Për përcaktimin e procedurave të shpërndarjes së fondit të kompensimit në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale”, i ndryshuar, dhe në vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave, në të cilët është përcaktuar masa e shpërblimit për secilin pronar.

Për 3527 kërkesat e mësipërme, për të cilat ka përfunduar procesi i shqyrtimit nga ana e ATP-së, ka rezultuar se dokumentacioni i tyre është në përputhje me kriteret e përcaktuara në VKM nr. 383, datë 19.05.2010, i ndryshuar.

Fondi financiar që shpërndahet nga ATP për këto 3527 kërkesa është në vlerën:
1 396 651 400,49 lekë.

Të dhënat në lidhje me pasuritë që kompensohen dhe mbi gjeneralitetet e subjekteve përfitues jepen në listën bashkëlidhur këtij njoftimi.

Agjencia e Trajtimit të Pronave njofton subjektet e interesuara se vlerat përkatëse për secilin përfitues do të jenë disponibël në llogaritë e tyre në bankat e nivelit të dytë pas përfundimit të procedurave të transfertave bankare në ditët në vijim.

NË MUNGESË DHE ME URDHËR
ZV. DREJTOR I PËRGJITHSHËM
Benard PALAJ