Në qendër të Shkupit ka nisur protesta e paralajmëruar, ku mijëra studentë shqiptarë, së bashku me qytetarë të tjerë të Maqedonisë së Veriut, janë mbledhur për të kërkuar respektimin e të drejtave kushtetuese dhe barazi në sistemin juridik.
Tubimi është përqendruar te kërkesa kryesore që provimi i jurisprudencës të mund të zhvillohet edhe në gjuhën shqipe, një çështje që ka nxitur reagime të forta në opinionin publik. Protestuesit kanë nisur marshimin në rrugët kryesore të qytetit, duke mbajtur flamuj kuqezi dhe pankarta me mesazhe të qarta politike dhe qytetare.
Në mesin e thirrjeve kryesore është edhe kërkesa për dorëheqjen e ministrit të Drejtësisë, Igor Fillkov, të cilin protestuesit e konsiderojnë përgjegjës për situatën e krijuar.
Ndërkohë, situata është tensionuar më tej pas një reagimi publik nga një prej organizatorëve të protestës, Mevlan Ademi. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai ka deklaruar se disa qytetarë shqiptarë janë ndaluar në një pikë kufitare, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të tyre.
“Lëshoni menjëherë vëllezërit tanë shqiptarë të ndaluar në pikën kufitare! Kërkojmë veprim të menjëhershëm dhe lejim të hyrjes së tyre pa vonesë. Nëse nuk ka ndërhyrje të shpejtë dhe zgjidhje urgjente, ne do të jemi të detyruar të marshojmë drejt Ministrisë së Punëve të Brendshme!”, është shprehur Ademi.
Ai ka paralajmëruar se, në mungesë të një reagimi të shpejtë nga institucionet, protesta mund të përshkallëzohet me një marshim drejt Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Deri në këto momente nuk ka një konfirmim zyrtar nga autoritetet lidhur me pretendimet për ndalimet në kufi apo arsyet e mundshme të tyre, ndërsa nuk është bërë e ditur as pika kufitare ku dyshohet se ka ndodhur ngjarja.
Protesta e sotme vjen në vijim të demonstratës së 6 prillit, kur mijëra studentë dhe qytetarë dolën në rrugët e Shkupit për të kërkuar zbatimin e Kushtetutës dhe Ligjit për përdorimin e gjuhëve, me fokus të veçantë lejimin e zhvillimit të provimit të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe.






