‘I forti’ i Gjergj Lucës përzë edhe policinë

Një episod i rëndë është raportuar në ambientet e një kompleksi turistik në zonën e Elbasanit, ku disa qytetarë pretendojnë se janë përballur me dhunë fizike dhe kërcënime pas një vizite të zakonshme familjare.

Sipas rrëfimit të një prej të pranishmeve, gjithçka nisi pasi grupi kishte përfunduar drekën dhe kishte dalë për një shëtitje në hapësirat e jashtme të kompleksit. Ata thonë se u paralajmëruan verbalisht të mos kalonin në një zonë të caktuar, por duke mos parë asnjë tabelë ndaluese apo sinjalistikë, vijuan lëvizjen.

Pak çaste më vonë, situata u përshkallëzua. Një person, që sipas tyre ishte pjesë e sigurisë së biznesit, iu afrua me shpejtësi dhe sulmoi fizikisht një prej burrave të grupit. Ai dyshohet se e ka kapur fillimisht nga krahu dhe më pas e ka goditur me grushte dhe shkelma. Në përpjekje për të ndërhyrë, edhe një grua tjetër ka mbetur e lënduar.

Të pranishmit tregojnë se agresioni ndodhi në sy të klientëve të tjerë, përfshirë edhe fëmijë, të cilët janë frikësuar nga skena e dhunës. Menjëherë pas incidentit, ata kanë kërkuar ndihmën e policisë, ndërkohë që personi i përfshirë është larguar nga vendi i ngjarjes.

Sipas denoncimit, tentativa për të marrë shpjegime nga drejtuesit e kompleksit nuk ka dhënë rezultat. Përkundrazi, një person që prezantohet si përfaqësues i menaxhimit i ka kontaktuar në telefon dhe, sipas pretendimeve, ka përdorur gjuhë kërcënuese duke u kërkuar të largohen.

Grupi i dëmtuar thotë se ka regjistruar bisedën telefonike dhe ka kërkuar që personat përgjegjës të shoqërohen nga policia. Më pas, ata janë paraqitur në komisariat për të bërë kallëzim zyrtar.

Sipas tyre, autoritetet kanë dokumentuar dëmtimet fizike dhe çështja tashmë i është referuar organit të akuzës për hetime të mëtejshme.