Përplasje, molotovë dhe presion ndaj Ramës
Protesta e opozitës para Kryeministrisë dhe Kuvendit në Tiranë ka marrë vëmendje të gjerë në mediat ndërkombëtare, të cilat kanë raportuar për përplasjet mes protestuesve dhe policisë, si dhe për kërkesat për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Prestigjiozja amerikane The Washington Post shkruan se mijëra mbështetës të opozitës u mblodhën në një protestë antiqeveritare, duke kërkuar largimin e Ramës për shkak të akuzave për korrupsion dhe keqpërdorime. Sipas raportimit, demonstruesit mbanin pankarta dhe brohorisnin kundër qeverisë, ndërsa u përballën me prani të shtuar policore në qendër të kryeqytetit.
Ndërkohë, Reuters raporton se demonstrata degjeneroi në përplasje, ku protestuesit hodhën bomba molotov drejt institucioneve qeveritare dhe kërkuan dorëheqjen e qeverisë, ndërsa policia reagoi me autobotë me ujë dhe masa të forta sigurie për të kontrolluar situatën.
Edhe Associated Press pasqyroi zhvillimet, duke theksuar se forcat e rendit përdorën gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë turmën, pas hedhjes së molotovëve dhe mjeteve piroteknike nga një pjesë e protestuesve.
Sipas raportimeve ndërkombëtare edhe nga Daily Mail, protesta vjen në një moment tensioni të lartë politik në Shqipëri, ku qeveria e Ramës ndodhet nën presion për shkak të akuzave për korrupsion që përfshijnë zëvendëskryeministren dhe ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku. Prokurorët e posaçëm kanë kërkuar heqjen e imunitetit të saj parlamentar, duke e akuzuar për ndërhyrje në prokurimet publike për favorizim kompanish në projekte ndërtimi, ndërsa një vendim i tillë kërkon votim në Kuvend.
Raportimet theksojnë se në protestën e zhvilluar në Tiranë morën pjesë mijëra qytetarë dhe mbi 1300 efektivë policie u angazhuan për garantimin e sigurisë. Edhe tubimet e mëparshme të opozitës janë shoqëruar me tensione dhe përplasje të ngjashme.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e cilësoi tubimin si një “kryengritje paqësore”, duke akuzuar kryeministrin Rama për presion ndaj sistemit të drejtësisë.
Protestat dhe tensionet politike po ndiqen me vëmendje edhe në kontekstin e aspiratës së Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian, proces që synohet të përmbyllet deri në vitin 2027, ndërsa organizatat ndërkombëtare vijojnë të theksojnë se korrupsioni mbetet një nga sfidat kryesore për vendin.






