Ministrja e Financave dhe Ekonomisë,Anila Denaj, ka folur mbi detaje të paketës së dytë financiare në mbështetje të qytetarëve dhe bizneseve të prekur nga situata e krijuar si pasojë e pandemisë së virusit COVID-19, gjatë një interviste televizive.
“Paketa e dytë është një zgjerim i paketës së parë, me fokus individët që përfitojnë një shumë prej 40 mijë lekësh e klasifikuar jo vetëm për biznesin e vogël, por edhe për biznesin e madh, duke futur në analizë gjithë bizneset që janë prekur dhe jo vetëm janë mbyllur. Numri total i përfituesve është 176 mijë persona, i ndarë në disa kategori.
Nëse në paketën e parë kanë qenë pagat në mënyrë të drejtpërdrejtë, ajo që quhet paga e luftës, te paketa e dytë është menduar, për biznese që kanë qenë të hapura por të afektuara, një shumë prej 40 mijë lekësh që paguhet një herë për punonjësit dhe do të paguhet brenda muajit prill”, u shpreh znj. Denaj.
Sa i përket biznesit të madh dhe punonjësve të larguar nga puna ose të punësuar por jo në punë, Ministrja tha se: “Biznesi i madh është adresuar me shumën prej 40 mijë lekë për të paktën 40 mijë persona, nga biznese që nuk janë të mbyllura, por janë të prekura. Janë 6 mijë persona që vijnë nga biznese të cilat janë të mbyllura, me xhiro mbi 14 milionë lekë, dhe janë mbi 20 mijë persona që nuk janë sot te pjesa e personave që janë sot të papunë, por janë të bizneset e prekura dhe janë biznes i madh. Ky grup prej gati 66 mijë personash i takon numrit të personave që janë të punësuar në biznesin e madh. Biznesin e madh e kemi adresuar edhe me një instrument likujditeti nëpërmjet skemës së garancisë, që adresohet edhe në paketën e dytë”.
Po ashtu, ministrja Denaj informoi se përmes paketës së dytë financiare do të mbështeten me pagesë edhe një kategori prej 10 mijë punonjës në sektorin e turizmit.
E pyetur mbi numrin e personave që kanë mbetur të papunë deri më tani si pasojë e situatës së krijuar në vend, Ministrja Denaj tha se ai shkon deri në 50 mijë dhe theksoi se, me masat e ndërmarra nëpërmjet paketave financiare, qeveria synon që të reduktojë sa më shumë të jetë e mundur që ky numër të rritet më tej.
Megjithatë, znj. Denaj tha se është duke u parë mundësia, në bashkëpunim me zyrat e punës, e trajnimit të personave të mbetur të papunë, në mënyrë që të përshtaten për tu punësuar në biznese që kanë nevojë për fuqi punëtore, por që mund të jenë të një tjetër natyre.
Lidhur me çështjen e ndryshimit apo pezullimit të kontratave të ndryshme koncesionare, e pyetur konkretisht mbi kontratën e skanimit në dogana, Ministrja Anila Denaj tha se të gjithë hapat që do të ndërmerren vijnë si rezultat i negocimit mes palëve, siç ndodhi në rasin e kontratës koncesionare të Check-Up.
“Ne po bëjmë çdo tratativë për të negociuar me të gjithë palët, me të gjithë koncesionarët dhe në mënyrë të vazhdueshme e kemi parë negocimin si palë, për çështje çmimesh, frekuence dhe përdorimi. Nuk bën përjashtim as kjo kontratë, është pjesë e negocimit që mos të ekspozohemi në kontrata me detyrime të mëtejshme për buxhetin e shtetit”, u shpreh Ministrja.
Sa i përket huave që qeveria shqiptare do të marrë nga FMN apo BE, Ministrja bëri me dije se këto fonde vijnë në mbështetje të deficitit buxhetor, i cili është 2-fishuar për shkak të masave që janë marrë për përballimin e situatës së COVID-19, pasi qeveria ka rishikuar buxhetin e shtetit për të financuar masat e ndërmarra deri më tani.






