Alfonso Signorini, gazetari dhe prezantuesi i njohur italian, është nën hetim nga Prokuroria e Milanos për dyshime për dhunë seksuale dhe shantazh.
Hetimi ka nisur pas kallëzimit të depozituar nga ish-pjesëmarrësi i “Grande Fratello” (Big Brother), Antonio Medugno, i cili pretendon se ka qenë pjesë e një skeme ku kërkoheshin favore seksuale në këmbim të pjesëmarrjes në program. Këto akuza janë bërë publike edhe nga Fabrizio Corona, përmes denoncimeve të tij.
Sipas mediave italiane, pas shpërthimit të skandalit, Signorini ka njoftuar vetëpezullimin e menjëhershëm nga Mediaset. Vendimi vjen pas publikimeve të Corona-s në kanalin e tij në YouTube, “Falsissimo”, ku janë ngritur drejtpërdrejt akuzat ndaj moderatorit të njohur.
Në kuadër të përballjes me hetimin, Signorini ka ndryshuar ekipin e mbrojtjes ligjore, duke angazhuar dy avokatë të njohur: Daniela Missaglia dhe Domenico Aiello. Missaglia është e specializuar në të drejtën e familjes dhe të individit dhe ka përfaqësuar më herët çështje të bujshme, si ajo mes Nina Moric dhe Fabrizio Corona. Ndërsa Aiello është një avokat penalist me përvojë në dosje komplekse që lidhen me korrupsionin dhe kontratat publike.
“Ne kemi të gjitha mjetet për të provuar se ky denoncim është i shpifur dhe se autorët janë të gatshëm të shkatërrojnë jetën e njerëzve për përfitime financiare. Kjo është ajo që unë e quaj ‘etika e mbeturinave’”, ka deklaruar avokati Domenico Aiello, duke iu referuar akuzave ndaj Alfonso Signorinit.






