Te ndërtimi i hotelit luksoz në Shkëmbin e Kavajës me “Visin e Pojës”
Publik.al – 11 Tetor 2025
Një histori që përsëritet: nga mashtrimi me barna te ndërtimet luksoze
Prokuroria e Tiranës ka ndërmarrë një hetim të ri ndaj biznesmenit Nadir Çausholli, një emër i njohur për përfshirjen në skema mashtrimi me barnat e rimbursueshme. Vetëm pak ditë më parë, hetuesit ushtruan një kontroll në ambientet e kompanisë së tij “CFO Pharma”, duke sekuestruar inventarë dhe dokumentacion financiar që lidhen me rimbursimet farmaceutike.
Ky hetim pason vendimin e formës së prerë të 29 prillit 2025, ku Çausholli u shpall fajtor për “manipulim të tregut”, pasi kishte shitur medikamente deri në 180 herë më shtrenjtë se çmimi i tyre real. Një skemë e cila jo vetëm që grabiti buxhetin publik, por edhe dëmtoi drejtpërdrejt pacientët shqiptarë.
Dënimet, arrestimet dhe “ringjallja” e bizneseve
Kjo nuk është hera e parë që Çausholli përballet me drejtësinë.
Në vitin 2016, Prokuroria e Tiranës dokumentoi një dëm ekonomik prej 2.2 milionë eurosh nga receta false dhe abuzime me barnat e rimbursueshme, që çuan në arrestimin e tij.
Por ndryshe nga qytetarët e zakonshëm, për Çaushollin çdo dënim është kthyer në trampolinë për pasuri të reja.
Pas vitit 2017, ai riktheu aktivitetet tregtare me ritme të reja: nga linja e autobusëve të Unazës në Tiranë, deri te një rrjet biznesesh të lidhura në sektorë të ndryshëm, shpesh në bashkëpronësi me persona publikë.
Në korrik 2024, Agjencia e Prokurimit Publik e përjashtoi për 6 muaj nga tenderat shtetërorë, për shkak të shkeljeve të konstatuara në aktivitetin e “CFO Pharma”. Por kjo masë nuk e ndaloi aspak.
Nga barnat në beton: lindja e “Rock of Kavaja”
Në të njëjtin muaj, Çausholli regjistroi një kompani të re “Rock of Kavaja” sh.p.k.
Vetëm dy muaj më pas, kompania mori nga qeveria shqiptare lejen për ndërtimin e një hoteli 10–11 katësh me tre kate nëntokë, në zonën e Shkëmbit të Kavajës një prej zonave më të kërkuara turistike në vend.
Sipas të dhënave zyrtare, kapitali i deklaruar i kësaj kompanie është 2.2 milionë euro.
Në foto: Ish-bar restorant “Tirana”, në zonën e Shkëmbit të Kavajës, Durrës
Struktura e pronësisë është po aq e pazakontë sa edhe rrugët e pasurimit të pronarit:
- Nadir Çausholli zotëron 60% të aksioneve,
- ndërsa Elvis Doçi, i njohur si “Visi i Pojës”, mban 40% të tyre.
Por ajo që ngre më shumë pikëpyetje është pagesa simbolike prej vetëm 600 eurosh që Çausholli ka kryer për të blerë kuotat e ortakut të tij një shifër e qesharake për një projekt miliona eurosh.
Rrjeti i lidhjeve dhe mbrojtja politike
Sipas burimeve pranë hetimit, ndërtimi i hotelit nuk do të ishte i mundur pa miratimin e drejtpërdrejtë nga qeveria Rama, që e aprovoi lejen ndërtimore në rekord kohe.
Në fakt, kjo nuk është hera e parë që Çausholli shihet i mbrojtur nga struktura pranë pushtetit.
Në disa raste të mëparshme, kompanitë e tij janë përfshirë në tendera publikë me institucione të varura nga Ministria e Shëndetësisë dhe Fondi i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, pavarësisht historikut penal të administratorit.
Kjo përforcon perceptimin se sistemi i drejtësisë dhe ai politik funksionojnë në dy realitete paralele: një për qytetarët e zakonshëm dhe një tjetër për të lidhurit me pushtetin.
Hetimi që mund të mbetet në letër
Edhe pse hetimet ndaj CFO Pharma dhe Çaushollit janë riaktivizuar, mbetet për t’u parë nëse Prokuroria do të shkojë deri në sekuestrimin e pasurive, apo gjithçka do të përfundojë në zhurmë mediatike dhe “masa administrative” pa pasoja reale.
Siç shprehet një burim brenda hetimit:
“Në Shqipëri, është bërë e zakonshme që skandalet të zbehen sapo përfundojnë titujt e gazetave. Por përmasat e këtij rasti që përfshin miliona euro nga shëndetësia publike nuk mund të kalojnë pa u ndëshkuar.”
Një sistem që shpërblen abuzimin
Rasti i Nadir Çaushollit është shembull tipik i kapjes së shtetit nga klientët e pushtetit.
Nga manipulimet në tregun farmaceutik e deri te ndërtimi i hoteleve luksoze, çdo aferë e tij ndjek të njëjtin model: abuzim, dënim, dhe më pas “rilindje” me bekimin e pushtetit.
Për aq kohë sa sistemi i drejtësisë dhe qeverisjes mbetet në duart e atyre që mbyllin një sy ndaj abuzimeve, “show must go on” në dëm të qytetarëve dhe në shërbim të oligarkëve të rinj të farmaceutikës dhe ndërtimit.





