Shoqatat e transportit publik në Shqipëri kanë ngritur shqetësimin për situatën kritike që po kalon sektori, si pasojë e rritjes së ndjeshme të çmimit të karburantit. Sipas tyre, kostot në rritje po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë funksionimin normal të linjave urbane dhe ndërqytetëse, duke rrezikuar drejtpërdrejt shërbimin për qytetarët.
Përfaqësuesit e operatorëve paralajmërojnë se, në mungesë të ndërhyrjes nga institucionet, mund të ketë reduktim të numrit të autobusëve në qarkullim. Një situatë e tillë do të sillte më shumë pritje, vonesa dhe vështirësi për përdoruesit e përditshëm të transportit publik.
Në komunikimet e tyre publike, ata theksojnë se rritja e çmimit të naftës ka ndikuar ndjeshëm në strukturën e kostove. Nga rreth 145 lekë për litër në periudhën para krizave, çmimi ka arritur aktualisht në rreth 214 lekë për litër, duke shtuar ndjeshëm barrën financiare për operatorët.
Sipas tyre, kjo situatë rëndohet edhe nga niveli i lartë i taksave mbi karburantin, që përbën një pjesë të konsiderueshme të çmimit final. Si pasojë, ruajtja e ekuilibrit mes të ardhurave dhe shpenzimeve është bërë gjithnjë e më e vështirë, ndërsa garantimi i të njëjtit nivel shërbimi me të njëjtën cilësi po vihet seriozisht në rrezik.
Shoqatat theksojnë se, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme drejtuar institucioneve, deri më tani nuk ka pasur masa konkrete për të përballuar këtë situatë. Ata nënvizojnë se nuk synojnë rritjen e çmimit të biletës apo reduktimin e shërbimit, por pa mbështetje financiare kjo bëhet e vështirë për t’u garantuar.
Në këto kushte, sektori kërkon ndërhyrje urgjente nga autoritetet, përmes disa masave konkrete:
- rishikimin e barrës fiskale mbi karburantin, veçanërisht akcizën dhe taksën e qarkullimit;
- shqyrtimin e heqjes së TVSH-së për transportin publik;
- vendosjen e skemave subvencionuese ose kompensuese për operatorët.
Operatorët apelojnë për mirëkuptimin e qytetarëve, duke theksuar se çdo reduktim i mundshëm i flotës nuk është zgjedhje, por pasojë e mungesës së reagimit institucional.
Reagimi i plotë:
Shoqatat, vlerësojnë të nevojshme të informojnë opinionin publik dhe institucionet përgjegjëse mbi situatën aktuale të sektorit të transportit publik, e cila po ndikohet ndjeshëm nga rritja e vazhdueshme e çmimit të karburantit dhe ndikimi i drejtpërdrejtë i saj në kostot e operimit. Transporti publik, si një shërbim me rëndësi të veçantë për qytetarët dhe për funksionimin e ekonomisë, operon në kushte tarifash të rregulluara ligjërisht dhe me mundësi të kufizuara për të përballuar ndryshime të menjëhershme të kostove. Kështu, rritja e çmimit të naftës nga rreth 145 lekë/litër përpara krizave të fundit, në rreth 214 lekë/litër aktualisht, pra një rritje prej afërsisht 70 lekë për litër, ka sjellë një shtim të konsiderueshëm të shpenzimeve operative për operatorët.
Kjo situatë rëndohet më tej nga pesha e lartë e komponentëve fiskalë në çmimin e karburantit, duke ushtruar një presion të vazhdueshëm mbi kapacitetin financiar të sektorit. Si pasojë, ruajtja e ekuilibrit ndërmjet kostove dhe të ardhurave, si dhe garantimi i të njëjtit nivel shërbimi, me të njëjtën cilësi dhe frekuencë po bëhen gjithnjë e më të vështira.
Pavarësisht adresimeve të vazhdueshme pranë institucioneve përgjegjëse, deri në këtë moment nuk janë ndërmarrë masa konkrete për të përballuar këtë situatë. Në mungesë të ndërhyrjeve të menjëhershme, ekziston rreziku që operatorët të mos jenë në gjendje të ruajnë nivelin aktual të operimit dhe frekuencat e shërbimit, me pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët. Megjithatë, theksojmë se operatorët nuk synojnë reduktimin e shërbimit apo rritjen e çmimit të biletës, por vijueshmërinë dhe cilësinë e tij. Në kushtet aktuale, kjo bëhet gjithnjë e më e vështirë për t’u garantuar pa mbështetje institucionale.
Për sa më sipër, kërkojmë nga institucionet përgjegjëse ndërmarrjen e masave konkrete dhe të menjëhershme, konkretisht:
1- rishikimin e barrës fiskale mbi karburantin, veçanërisht në drejtim të akcizës dhe taksës së qarkullimit;
2- vlerësimin e një politike të veçantë për sektorin e transportit publik për heqjen e TVSH-së;
3- aplikimin e mekanizmave subvencionues ose kompensues, me qëllim garantimin e vijueshmërisë dhe qëndrueshmërisë së këtij shërbimi në interes të qytetarëve.






