Rritja e çmimit të karburanteve po godet fort sektorin bujqësor në juglindje të vendit, pikërisht në kulmin e punimeve pranverore. Në zonën e Sheqerasit, fermerët dhe traktoristët po përballen me kosto gjithnjë e më të larta, ndërsa të ardhurat nga prodhimet bujqësore mbeten në nivele të ulëta.

Për shumë prej tyre, bilanci ekonomik është kthyer në negativ. Shpenzimet për naftë, plehra kimike dhe fara janë rritur ndjeshëm, duke e bërë të pamundur vijimin normal të aktivitetit. Në këto kushte, puna në tokë nuk siguron më fitim, por vetëm mbijetesë.

Fermeri Tomorr Prrenjasi e përshkruan situatën si të papërballueshme, duke theksuar se çmimi i karburantit nuk përputhet aspak me vlerën e prodhimit që arrijnë të shesin. Sipas tij, shumë fermerë ndihen të braktisur dhe pa mbështetje, ndërsa emigrimi shihet si zgjidhja e vetme për të shpëtuar nga falimentimi.

Në të njëjtën linjë, edhe fermeri Ilirjan Limka thekson mungesën e plotë të ndihmës nga institucionet. Për të dhe familje të tjera në zonë, bujqësia është burimi i vetëm i të ardhurave, por aktualisht nuk arrijnë të përballojnë as kostot minimale për të nisur punimet. Ai shprehet se shumë mjete bujqësore kanë mbetur të parkuara, pasi përdorimi i tyre nuk ka më leverdi ekonomike.

Edhe për fermerin Mirdash Ocka, situata është bërë absurde. Sipas tij, të ardhurat nga puna me traktor shkojnë të gjitha për karburant, pa lënë asnjë fitim. Në këto kushte, ai thotë se po mendon t’i rikthehet metodave tradicionale të punimit të tokës, duke përdorur kafshë pune në vend të mjeteve mekanike.

Ndërkohë, Demir Zholanji thekson se momenti është edhe më kritik për shkak të sezonit të mbjelljeve pranverore, kur nevojat për inpute bujqësore janë më të larta. Sipas tij, rritja e çmimeve të plehrave kimike, farave dhe karburantit po e rëndon më tej situatën, duke e bërë çdo proces më të kushtueshëm dhe më pak fitimprurës.

Fermerët e zonës kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga qeveria, duke theksuar se pa masa mbështetëse, një pjesë e madhe e tyre do të detyrohen të braktisin tokat dhe të largohen nga vendi.

Sipas të dhënave zyrtare, vetëm në qarkun e Korçës numërohen mbi 4.800 mjete bujqësore, shumica e të cilave operojnë në zonën e Maliqit. Por me kostot aktuale, përdorimi i tyre po bëhet gjithnjë e më i vështirë, duke vënë në pikëpyetje të ardhmen e bujqësisë në këtë rajon.