Në një kohë kur çmimi i karburanteve në vend po arrin nivele rekord, kryeministri Edi Rama ka reaguar në podcast-in e tij “Flasim”, duke u përpjekur të qetësojë shqetësimin publik, por pa pranuar ekzistencën e abuzimeve në treg.
Pavarësisht rritjes së ndjeshme të çmimeve në pikat e shitjes me pakicë, Rama deklaroi se monitorimi i tregut nuk ka evidentuar shkelje apo manipulime nga operatorët. Kjo deklaratë vjen në një moment kur nafta ka kapërcyer kufij të rinj, duke u rritur me rreth 24 lekë për litër brenda pak ditësh, nga 193 lekë, në mbi 214 lekë për litër.
Ndërkohë, qeveria ka ndërmarrë disa masa që synojnë të zbusin efektet e krizës. Kryeministri bëri të ditur se është vendosur një ulje e përkohshme prej 20% e akcizës së naftës nëse litri arrin në 220 lekë, ndërsa është ngritur edhe një task-forcë pranë Ministria e Ekonomisë dhe Financave për të rritur kontrollin në treg.
Megjithatë, pavarësisht këtyre ndërhyrjeve, Rama theksoi se nuk janë konstatuar abuzime, një qëndrim që bie në kontrast me perceptimin e gjerë publik për rritjen e çmimeve. Ai nënvizoi se vendi mund të kalojë edhe në regjimin e bordit të transparencës, për të shmangur çdo përfitim të padrejtë në kushtet e krizës.
Në të njëjtën kohë, kreu i qeverisë theksoi se të ardhurat shtesë nga rritja e çmimeve, edhe pas uljes së akcizës, do të orientohen për mbështetjen e pensionistëve, duke e vendosur fokusin te shtresat më vulnerabël.
Rama paralajmëroi gjithashtu ndërhyrje më të thella në tregun e karburanteve, përmes krijimit të një aktori publik që do të ndikojë në vendosjen e çmimeve dhe rritjen e transparencës, si dhe në luftën kundër evazionit dhe kontrabandës.
Në një situatë ku nafta “prek qiellin”, qëndrimi i qeverisë për mungesë abuzimesh mbetet një nga pikat më të debatueshme në opinionin publik.






