Qeveria shqiptare ka nisur konsultimet me kompanitë e tregtimit të karburanteve për të vlerësuar situatën e krijuar në treg, pas tensioneve dhe luftës në Lindjen e Mesme që kanë rritur pasiguritë për çmimet në bursat ndërkombëtare të energjisë.

Burime bëjnë me dije se disa ministri të qeverisë kanë zhvilluar një takim me dyer të mbyllura me përfaqësues të kompanive të sektorit, ku në fokus ka qenë ndikimi që konflikti mund të ketë edhe në tregun shqiptar të naftës dhe benzinës. Diskutimet janë përqendruar tek mundësia e rritjes së çmimeve dhe tek masat që mund të merren për të shmangur një goditje të menjëhershme për konsumatorët.

Megjithatë, deri në këtë moment nuk është marrë ende një vendim konkret nëse qeveria do të ndërhyjë drejtpërdrejt në treg apo se çfarë mekanizmi mund të përdoret për të kontrolluar çmimet e karburanteve.

Një skenar i ngjashëm është aplikuar edhe më parë. Në vitin 2022, gjatë krizës globale të energjisë, qeveria krijoi një strukturë të posaçme të njohur si Bordi i Transparencës, e cila vendoste kufijtë e çmimeve të karburanteve dhe normën e fitimit për kompanitë që operojnë në treg.

Vendimi për ngritjen e këtij bordi u kundërshtua nga opozita dhe u dërgua për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë, por në fund u konsiderua në përputhje me ligjin dhe vijoi të qëndrojë në fuqi.

Situata e re ndërkombëtare ka rikthyer edhe një herë diskutimin nëse një mekanizëm i ngjashëm mund të riaktivizohet ose të përdoret sërish për të stabilizuar tregun, nëse çmimet e karburanteve pësojnë rritje të ndjeshme në javët në vijim.