Gjashtë banorë të “Big Brother VIP 5”, Brikena, Greta, Mateo, Kristi, Mali dhe Miri, kanë lënë mbrëmjen e së hënës ambientin e quajtur “Akuariumi” dhe janë rikthyer në shtëpinë kryesore, pas një vendimi të marrë nga Vëllai i Madh.

Rikthimi i tyre nuk erdhi pa kushte. Vëllai i Madh vendosi një rregull strikt, sipas të cilit gjashtë banorët nuk duhet të komunikojnë me asnjë nga pjesa tjetër e shtëpisë, përveçse mes tyre. Çdo shkelje e këtij rregulli do të sillte rikthimin e menjëhershëm të të gjithë grupit në “Akuarium”, për një afat të pacaktuar.

Menjëherë pas bashkimit me banorët e tjerë, situata u shoqërua me tensione dhe tentativa provokimi. Banorët e shtëpisë u përpoqën vazhdimisht t’i vinin në vështirësi, duke kërkuar t’i nxisnin të flisnin dhe kështu të shkelin rregullin e vendosur.

Një nga momentet që tërhoqi më shumë vëmendje ndodhi në oborr, ku banorët po qëndronin të ulur. Selin iu afrua Gretës me një buzëkuq në dorë dhe nisi t’i lyente buzët, për t’i dhënë më pas edhe një puthje, në një tentativë të qartë për ta provokuar.

Pavarësisht situatës së krijuar, Greta ruajti qetësinë dhe vetëkontrollin, duke mos reaguar dhe duke mos komunikuar me Selin. Ajo iu drejtua vetëm banorëve që kishin qenë me të në “Akuarium”, duke respektuar rregullin e Vëllait të Madh dhe duke shmangur penalizimin e grupit.