Bordi i Transparencës ka vendosur një tjetër përditësim të çmimeve të karburanteve në vend, duke përcaktuar kufijtë maksimalë për shitjen me pakicë dhe shumicë.

Sipas vendimit më të fundit, çmimi i naftës (gazoil sipas standardit SSH EN 590) nuk duhet të kalojë 202 lekë për litër në shitjen me pakicë, ndërsa për tregun me shumicë është vendosur tavani prej 190 lekë për litër.

Ndërkohë, për benzinën, çmimi maksimal në pakicë është përcaktuar në 176 lekë për litër, ndërsa në shumicë në 164 lekë për litër.

Këto çmime kanë hyrë në fuqi ditën e sotme, më 22 të muajit, në orën 12:30 dhe do të mbeten në fuqi deri në një vendim të ri nga Bordi, i cili pritet të reflektojë zhvillimet e tregut.

Autoritetet kanë paralajmëruar operatorët e tregtimit të karburanteve për zbatimin rigoroz të këtij vendimi. Çdo shkelje e konstatuar do të shoqërohet me masa të forta, deri në pezullimin e aktivitetit për subjektet që nuk respektojnë çmimet e përcaktuara.