Zbardhet projektligji

Pas pesë vitesh nga miratimi i ligjit për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë, ku parashikohej edhe licencimi i kompanive për prodhimin e kriptomonedhave, kuadri ligjor rezultoi tërësisht jo-funksional. Asnjë kompani nuk mori licencë, kryesisht për shkak të kritereve të forta dhe boshllëqeve rregullatore.

Për të zhbllokuar tregun e monedhave virtuale, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit ka hartuar projektligjin e ri “Për Tregjet e Kripto-Aseteve”, që synon të mundësojë prodhimin, blerjen, këmbimin dhe përdorimin e kriptovalutave në Shqipëri, sipas standardeve të Bashkimit Evropian.

Sipas relacionit zyrtar, objektivi është krijimi i një kuadri të harmonizuar që u jep mundësi ofruesve vendas të shërbimeve të kripto-aseteve të operojnë në tregun evropian, duke respektuar normat më të larta të transparencës dhe mbikëqyrjes.

Projektligji synon të krijojë kushte konkurruese për bizneset inovative, të nxisë investimet dhe të rrisë konkurrueshmërinë e tregut.
Kripto-asetet konsiderohen si produkte kyçe të teknologjisë së regjistrave të shpërndarë dhe përfaqësojnë vlera digjitale që mund të sjellin përfitime të rëndësishme, përfshirë investitorët jo-profesionistë.

Ministria vlerëson se përdorimi i kripto-aseteve mund të fuqizojë edhe ndërmarrjet e vogla e të mesme, sidomos nëse përdoren si mjete pagesash, duke ulur kostot e transaksioneve dhe duke shpejtuar pagesat ndërkufitare për shkak të reduktimit të ndërmjetësve.

Për qytetarët që investojnë pa qenë profesionistë, projektligji u njeh të drejtën e tërheqjes nga investimi brenda 14 ditësh nga nënshkrimi i marrëveshjes.

Megjithatë, kuadri i ri sjell sfida të rëndësishme, të lidhura kryesisht me stabilitetin financiar dhe rrezikun e pastrimit të parave.
Në dokument theksohet se disa lloje kripto-asetesh të stabilizuara (“stablecoins”) mund të adoptohen gjerësisht nga qytetarët, duke krijuar rrezik potencial për stabilitetin financiar, politikat monetare dhe funksionimin e sistemeve të pagesave.

Procesi i licencimit për kompanitë, të cilat duhet të kenë shtetësi shqiptare ose të BE-së, do të kryhet nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe Banka e Shqipërisë, me fokus garantimin e stabilitetit financiar dhe parandalimin e pastrimit të parave.

Projektligji, i përbërë nga 142 nene, parashikohet të hyjë në fuqi më 1 mars 2026, ndërsa zbatimi i plotë me aktet nënligjore është planifikuar për pranverën e vitit 2027.

KËTU MUND TË SHIKONI PROJEKTLIGJIN E PLOTË