Gazetari italian: Mafia shqiptare ndër të parat në Europë
Gazetari investigativ italian Nello Trocchia, në një intervistë në emisionin “Oponencë” në News24, ka ngritur shqetësime serioze mbi situatën e kriminalitetit në Shqipëria, duke u ndalur te zgjerimi i grupeve kriminale, pastrimi i parave dhe lidhjet e mundshme me strukturat e pushtetit.
Sipas Trocchia-s, një nga problemet më të mëdha mbetet shtrirja e gjerë e mafies shqiptare, e cila sipas tij ka evoluar ndjeshëm ndër vite, duke kaluar nga kultivimi i kanabisit drejt trafikut të drogave të forta si heroina dhe kokaina.
Ai solli në vëmendje edhe një episod të vitit 2019, për të cilin tha se është pjesë e hetimeve antimafia, ku pretendohet për një takim mes një përfaqësuesi të qeverisë së Edi Rama dhe një personi të përfshirë në aktivitet kriminal.
“Nga marijuana kaluan te heroina e kokaina. Është një mal i tërë parash dhe duan t’i pastrojnë. Dhe aty lind nevojë që të mund të korruptojnë edhe në administratën publike. Është i theksuar depërtimi i këtyre strukturave në administratë dhe në librin tim them për herë të parë se çfarë ndodhi në hetimi antimafias, që thotë që në 2019 ka ndodhur në Aruba një takim midis një krimineli dhe përfaqësues të qeverisë Rama. Unë e kam publikuar këtë informacion dhe përpara se ta publikoja unë e kam pyetur zotin Rama, të më jepte një sqarim, por pavarësisht përpjekjeve të mia nuk kam pasur një përgjigje. Ai informacion fliste për një bashkëpunim mes kartelit kriminel dhe një përfaqësues të qeverisë Rama. Në Shqipëri ka pasur përfaqësues që janë përfshirë në hetime dhe janë detyruar të japin dorëheqje, psh dorëheqje me ministrin e Brendshëm që lidhej me aktivitetin e zyrës së tij… Por kush po ndërton resorte, hotele, kush po çimenton vendin? Sigurisht sipërmarrës të mëdhenj, por ka sigurisht edhe një pjesë të investimeve që i ka kryer krimi i organizuar”, tha ai, duke shtuar: “Kur flasim për mafien shqiptare është një ndër të para në Europë. Ka pasur luftë midis bandave shqiptare,” u shpreh ai.






