Lista e personazheve të njohur që mund të bëhen pjesë e spektaklit Ferma VIP duket se po zgjerohet, ndërsa shtohen zërat për emrat që mund të marrin pjesë në edicionin e tretë të formatit.
Pas emrave të përfolur më herët si Romir Zalla, Mimoza Ahmeti dhe Akil Pano, burime për mediat pranë produksionit flasin për përfshirjen e disa personazheve të tjerë të njohur të ekranit dhe artit.
Mes emrave që përfliten për t’u bërë “fermerë” është edhe balerini Ledian Agalliu. Pas ndarjes nga këngëtarja Elhaida Dani, ai shihet nga shumëkush si një figurë që mund të sjellë dinamika dhe ndoshta edhe histori personale brenda spektaklit.
Po ashtu në listën e emrave të përfolur për pjesëmarrje është edhe Indri Shiroka, i njohur për rolin e tij në filmin Pasaporta të regjisorit Eduart Grishaj.
Sipas informacioneve që qarkullojnë në media, pjesë e spektaklit mund të jetë edhe Inida Gjata, e njohur për publikun si Zhaku. Ajo ishte pjesë e formatit vitin e kaluar në rolin e opinionistes dhe njihet për stilin e saj të drejtpërdrejtë dhe shpesh impulsiv.
Ndërkohë, një tjetër emër që përmendet është edhe balerini Ilir Shaqiri, për të cilin flitet se mund të jetë pjesë e formatit në një rol drejtues, ndoshta si “kryeplak” i fermës.
Sipas burimeve nga produksioni për mediat, një nga arsyet pse formati po synon të afrojë personazhe të njohur lidhet edhe me pagesën. Konkurrentët pritet të paguhen për ditët e qëndrimit në fermë, pavarësisht çmimit të madh të spektaklit, ndërsa pagesa ndryshon në varësi të profilit dhe popullaritetit të secilit.
Në prapaskenë, pjesë e stafit të produksionit përmenden emra si Eraldo Rexho dhe Zefina Hasani. Gjithashtu, raportohet se disa ish-teknikë të Big Brother Albania mund t’i bashkohen ekipit të këtij formati, ndërsa drejtori i ndriçimit pritet të vijë nga Italia, i njëjti profesionist që më herët ka punuar edhe për Big Brother VIP Albania.
Megjithatë, deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar nga produksioni për listën përfundimtare të pjesëmarrësve, ndërsa emrat vijojnë të përfliten në media dhe rrjete sociale.






