Pacientët në vend rrezikojnë të mbeten pa barna të rimbursueshme, si pasojë e një ngërçi të krijuar nga ndryshimi i papritur i çmimeve dhe aplikimi i tyre në sistem pa paralajmërim për farmacitë. Situata ka sjellë konfuzion dhe kaos në tregun farmaceutik, duke vënë në rrezik furnizimin normal me medikamente.

Sipas burimeve nga sektori, në sistem janë përditësuar çmimet e rreth 40 barnave të listës së rimbursimit për vitin 2026. Çmimet e reja rezultojnë më të ulëta, por farmacitë nuk janë informuar paraprakisht dhe përballen me to vetëm në momentin e ekzekutimit të recetës në sistem.

Problemi kryesor, sipas farmacistëve, qëndron në faktin se këto barna janë blerë më herët nga depot farmaceutike me çmime shumë më të larta se ato që tashmë reflektohen në sistem. Ulja e çmimeve nuk është shtrirë në të gjithë zinxhirin e furnizimit, nga importuesi te farmacia, duke krijuar humbje të drejtpërdrejta financiare për këto të fundit.

Për pasojë, shumë farmaci kanë nisur të refuzojnë dhënien e barnave me rimbursim, deri në sqarimin e situatës, duke lënë pacientët – veçanërisht ata kronikë – përballë pasigurisë për trajtimin e tyre.

Jashtë deklaratave zyrtare, përfaqësues të sektorit shprehen se Komisioni i Çmimit të Barnave pranë Ministrisë së Shëndetësisë ka vepruar pa transparencë dhe pa konsultim me aktorët e tregut. Po ashtu, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, i cili ka kontratë direkte me farmacitë, ka nisur zbatimin e çmimeve të reja pa publikuar ende listën zyrtare të barnave të rimbursueshme për vitin 2026.

Ndërkohë, për disa barna të tjera të përfshira në rimbursim, çmimet janë rritur ndjeshëm, duke ngritur dyshime për favorizim të kompanive të caktuara farmaceutike. Në faqen zyrtare të Fondit është publikuar vetëm një njoftim i përgjithshëm për ndryshime të pritshme të çmimeve, ndërsa në praktikë ato kanë nisur tashmë të aplikohen.

Kjo situatë ka ngritur alarmin edhe te Urdhri i Farmacistëve dhe Unioni i Biznesit Farmaceutik, të cilët i janë drejtuar me një shkresë zyrtare Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Shëndetësisë, duke paralajmëruar rrezikun e ndërprerjes së zinxhirit të furnizimit me barna.

Në shkresë theksohet se shpërndarja e barnave të prekura nga çmimet e reja është e pamundur pa një miratim të qartë dhe harmonizim financiar nga Mbajtësit e Autorizimit të Marketingut. Mungesa e një zgjidhjeje institucionale brenda një afati të arsyeshëm, sipas tyre, mund të çojë në ndërprerje të furnizimit, sidomos për barna jetike dhe për pacientë kronikë e akutë, duke rrezikuar seriozisht shëndetin publik.

Më herët, të dyja institucionet i kanë kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë dhe Fondit që të shtyjnë zbatimin e çmimeve të reja, duke argumentuar se farmacitë dhe importuesit kanë detyrim ligjor të mbajnë stok barnash për të paktën dy muaj. Mosdhënia e kohës së nevojshme për konsumimin e këtyre sasive, sipas tyre, krijon mungesa artificiale dhe dëm financiar të konsiderueshëm.

Ata kanë kërkuar gjithashtu që implementimi i çmimeve CIF për vitin 2026 të shtyhet me të paktën 90 ditë, në mënyrë që të shiten barnat e blera me çmimet e vitit 2025 dhe të shmangen humbje që kapin vlera disa milionë euro.

Në të njëjtën kohë, Unioni i Biznesit Farmaceutik dhe Urdhri i Farmacistëve kanë kërkuar përfshirjen e tyre në procesin e rishikimit të çmimeve, duke theksuar se, pavarësisht se Shqipëria është një treg i vogël, falë tyre janë siguruar barna inovative dhe furnizim i qëndrueshëm.

Në përfundim, dy institucionet kanë paralajmëruar se, nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh, do t’i drejtohen Gjykatës Administrative për pezullimin e vendimit të Fondit lidhur me indeksimin e çmimeve CIF në listën e barnave të rimbursueshme për vitin 2026.