Ministri i Financave, Petrit Malaj, zhvilloi një takim me drejtuesit e lartë të institucioneve tatimore dhe doganore, Ilir Binaj, Drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve, dhe Besmir Beja, Drejtor i Përgjithshëm i Doganave, për të dakordësuar planin operacional për ngritjen e një Task Force të përbashkët.

Ky grup operacional ka për qëllim rritjen e kontrollit dhe efikasitetit në sektorin e hidrokarbureve, si në tregtimin me shumicë, ashtu edhe në atë me pakicë, për të shmangur rritjet e çmimeve të karburanteve dhe për të mbrojtur qytetarët shqiptarë.

Ministri Malaj theksoi se iniciativa vjen edhe si rezultat i zhvillimeve ndërkombëtare që kanë ndikuar në çmimet e hidrokarbureve. “Konflikti i fundit midis Iranit, SHBA-së dhe Izraelit ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë mbi tregun e hidrokarbureve. Ky Task Force do të monitorojë çmimet dhe aktivitetin e operatorëve, duke filluar nga vlerësimi i riskut dhe duke mbledhur informacion mbi abuzimet potenciale,” tha Malaj.

Grupi i përbashkët do të kryejë kontrolle të dokumentacionit doganor dhe tatimor, si dhe inspektime fizike të sasive të hidrokarbureve që tregtohen në pikat me shumicë dhe pakicë. Ministria e Financave mbetet e angazhuar për miradministrim tatimor dhe doganor, duke u fokusuar gjithmonë në interesin e qytetarëve.

Drejtori i Doganave, Besmir Beja, njoftoi se kontrollet do të shtrihen në të gjithë territorin, duke përfshirë subjektet me risk të identifikuar. Ai shtoi se do të ngrihen grupe të përbashkëta inspektimi me Drejtorinë e Tatimeve për të garantuar që çdo aktivitet të jetë i ligjshëm, çdo shitje e regjistruar fiskalisht dhe çdo karburant i tregtuar të përmbushë detyrimet tatimore dhe doganore.

Ndërkohë, Drejtori i Tatimeve, Ilir Binaj, njoftoi se analiza e riskut ka nisur dhe se operacioni do të zhvillohet gjatë një periudhe të gjatë kohore. Objektivi kryesor është rritja e formalizimit në tregun e hidrokarbureve dhe garantimi i funksionimit të rregullt të tij, bazuar edhe në mësimet nga operacionet e mëparshme.