
Kadastra Fiskale, gati sistemi i ri i taksës së ndërtesës: Bashkitë integrohen brenda 2026, fatura me detaje të plota
Brenda vitit 2026, të gjitha bashkitë në vend pritet të jenë të integruara në sistemin e ri informatik të Kadastrës Fiskale, i cili do të llogarisë automatikisht detyrimin për taksën mbi ndërtesën, si për individët ashtu edhe për bizneset.
Sistemi i ri do të përdoret nga bashkitë për gjenerimin elektronik të faturave të taksës, duke përfshirë të dhëna të detajuara mbi sipërfaqen e pronës, vlerën bazë të taksueshme dhe çmimin referues për metër katror, sipas zonës kadastrale ku ndodhet pasuria.
Faturë e re, më transparente
Në manualin e përdorimit të sistemit të Kadastrës Fiskale, të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Taksës së Pasurisë, është publikuar edhe modeli i ri i faturës për taksën mbi ndërtesën.
Ndryshe nga fatura aktuale, dokumenti i ri do të përmbajë:
- numrin e njësisë së ndërtesës,
- numrin e pasurisë të regjistruar në Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK),
- çmimin referues sipas zonës kadastrale,
- sipërfaqen e apartamentit,
- vlerën e taksueshme të pronës,
- detyrimin përfundimtar për taksën e ndërtesës.
Fatura do të përmbajë gjithashtu logon e bashkisë, të dhënat e taksapaguesit, numrin e faturës, kodet përkatëse të pagesës dhe afatet e shlyerjes, pa përfshirë gjoba apo kamatëvonesa.
Shembull konkret: sa paguhet në 2026
Sipas modelit ilustrues të publikuar në manual, për një apartament në zonën e Shëngjergjit në Tiranë, me:
- sipërfaqe: 76 m²,
- çmim referues: 23,000 lekë/m²,
- shkallë takse: 0.05%,
detyrimi për taksën mbi ndërtesën llogaritet 874 lekë në vit për vitin 2026.
Si funksionon sistemi
Të dhënat për pasuritë e paluajtshme do të hidhen nga bashkitë në sistem dhe do të përpunohen automatikisht. Sistemi lejon renditjen dhe filtrimin e të dhënave sipas:
- numrit të njësisë së ndërtesës,
- numrit të pasurisë në ASHK,
- sipërfaqes, përdorimit dhe kategorisë së vlerës,
- bashkisë, njësisë administrative, rrugës, zonës kadastrale, katit dhe statusit aktiv.
Gjithashtu, sistemi mundëson regjistrimin e taksapaguesve për pasuri që nuk kanë të dhëna ekzistuese, përmes:
- numrit personal për individët,
- numrit të biznesit për subjektet tregtare,
- si dhe regjistrimin e taksapaguesve të huaj.
Metodologjia e llogaritjes së taksës
Vlera e pronës llogaritet mbi bazën e:
- sipërfaqes,
- çmimit mesatar referues,
- koeficientit të kategorisë së vlerës,
- koeficientit të privatizimit për banesat.
Në rast mungese të të dhënave për sipërfaqen, përdoret sipërfaqja e prezumuar. Vlera përfundimtare e pronës përcaktohet si më e larta ndër disa referenca, përfshirë vlerën e regjistruar në ASHK, çmimin e shitjes, vlerën e vetëdeklaruar apo çmimin e ndërtimit për objektet e papërfunduara.
Shkallët e taksës janë:
- 0.05% për banim,
- 0.2% për veprimtari ekonomike,
- 30% e shkallës përkatëse për sipërfaqet e papërfunduara me leje ndërtimi.
Njësitë e vetëqeverisjes vendore mund të aplikojnë nënndarje zonale, duke rregulluar shkallën e taksës brenda kufijve ±30%.
Afatet e pagesës dhe administrimi
Aktualisht, për individët, taksa mbi ndërtesën shfaqet në faturën e ujit të pijshëm dhe paguhet çdo muaj, ndërsa për bizneset pagesa kryhet me dy këste:
- kësti i parë deri më 30 Qershor,
- kësti i dytë deri më 31 Tetor.
Monitorimi dhe popullimi i të dhënave në sistem do të kryhet nga Drejtoria e Përgjithshme e Taksës së Pasurisë, me synim një administrim të unifikuar dhe të qëndrueshëm të taksës.
Taksa e re e pronës shtyhet për në 2028
Ndërkohë, zbatimi i taksës së re mbi pasuritë e paluajtshme, e cila ishte planifikuar të hynte në fuqi në vitin 2026, është shtyrë me dy vite dhe pritet të nisë në vitin 2028.






