Modelja 23-vjeçare Nikol Projko do të jetë një nga banoret më të reja të edicionit të pestë të Big Brother VIP Albania. Lajmi u konfirmua nga vetë ajo gjatë një interviste në emisionin “Big Brother Radio”.
Gjatë bisedës, Projko foli për vendimin për t’u bërë pjesë e formatit, duke e cilësuar hyrjen në shtëpinë e famshme si një hap të rëndësishëm në rrugëtimin e saj profesional. Pas eksperiencës në botën e modelingut, ajo e konsideron këtë eksperiencë një sfidë të re që mund t’i japë një dimension tjetër karrierës së saj.
“Kjo është një sfidë e re për mua”, u shpreh modelja, duke theksuar se dëshiron që publiku të njohë një anë tjetër të personalitetit të saj, përtej imazhit që ka krijuar deri tani në pasarela dhe në fotosesione.

Sipas saj, pjesëmarrja në reality show do t’i japë mundësinë të shfaqet më natyrshëm dhe të komunikojë drejtpërdrejt me publikun, larg filtrave të industrisë së modës.
Nikol Projko bëri të ditur gjithashtu se rrugëtimi i saj në shtëpinë më të famshme në Shqipëri do të nisë këtë të shtunë, kur pritet të startojë edhe edicioni i ri i spektaklit.
Mbetet për t’u parë se si do të përshtatet 23-vjeçarja me ritmin dhe dinamikat e forta të lojës, si dhe me përballjet që zakonisht shoqërojnë jetën e përditshme të banorëve brenda shtëpisë së Big Brother VIP Albania.






