Çmimi i naftës në Shqipëri ka pësuar një rritje të menjëhershme, vetëm një ditë pasi kryeministri Edi Rama paralajmëroi operatorët e tregut të shmangin çdo formë abuzimi, duke lënë të hapur mundësinë e rikthimit të Bordit të Transparencës në rast shkeljesh.

Brenda 24 orëve të fundit, nafta është shtrenjtuar me rreth 12 lekë për litër. Në disa pika karburanti në Tiranë, çmimi ka arritur deri në 214 lekë për litër, duke reflektuar një lëvizje të fortë në treg në një interval shumë të shkurtër kohor.

Kjo rritje lidhet edhe me zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme, të cilat kanë ndikuar drejtpërdrejt në tregjet ndërkombëtare të energjisë. Që prej nisjes së tensioneve në rajon, çmimi i naftës në vend është rritur me rreth 40 lekë për litër.

Para përkeqësimit të situatës gjeopolitike, nafta tregtohej në nivele më të ulëta, rreth 173 deri në 175 lekë për litër, çka tregon një rritje të ndjeshme në një periudhë relativisht të shkurtër.