Tregu i sigurimeve pritet të ketë disa zhvillime gjatë vitit aktual, së pari në sigurimin e detyrueshëm motorik dhe konkretisht bëhet fjalë për TPL, që është sigurimi ndaj përgjegjësisë së palëve të treta. Një udhëzim i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare i vitit të shkuar vendosi se nga 1 prilli 2019 deri në 1 prill të këtij viti do të mbahet baza e të dhënave për aksidentet që do t’i shërbejë sistemit Bonus-Malus. Të gjithë ata që nuk kanë asnjë dëm përgjatë këtij viti që shërben si historik, do të hyjnë automatikisht në klasën 13. Ekstremet, nëse je një shofer i mirë ose jo i mirë, janë që primi mund të përgjysmohet nëse nuk ke asnjë dëm ose mund të të dyfishohet nëse arrin në klasën e fundit penalizuese. Por le të mendojmë një situatë hipotetike me primin që kemi sot në treg.
Nëse dikush ka një mjet, primi i të cilit është 19 mijë lekë dhe gjatë një viti nuk ka kryer asnjë dëm, ai hyn në sistemin Bonus-Malus për këtë vit me një reduktim të primit. Koeficienti i vendosur në klasën 12 është 0,94, çka do të thotë që drejtuesi do të paguajë një prim 17 860. Krejt e kundërta do të ndodhë nëse ai ka kryer një dëm, çka e kalon atë në rritje me dy klasa, nga klasa hyrëse duke e çuar në klasën 15.
Primi përkues në rastin tonë do të ishte 24 700 lekë. Kur i njëjti drejtues ka një sjellje të mirë në timon dhe nuk shkakton asnjë dëm, tendenca ulëse vijon vit pas viti me nga një klasë. Kjo do të thotë që, nëse marrim sërish primin hipotetik prej 19 mijë lekësh, pas 13 vitesh pa asnjë dëm, drejtuesi i mjetit do të paguajë vetëm 9 500 lekë, kurse nëse ka shkaktuar dëme të vazhdueshme dhe përfundon në klasën 18, pra ekstremi i sipërm penalizues, primi i tij do të shkojë 38 000 lekë. Një qytetar mund të kalojë automatikisht në klasën 18, nëse rezulton se ka kryer dy dëme brenda vitit dhe ndërkohë, klasa e tij hyrëse ishte 13.
Sigurimi i pronës, dy nismat e qeverisë
Tërmeti i 21 shtatorit dhe më pas ai i 26 nëntorit 2019 ngritën edhe një herë debatin për sigurimin e pronës. Nën efektet e panikut që sollën këto dy ngjarje dhe pamjet e ndërtesave të shkatërruara, ku në disa raste arsye ishin gabimet njerëzore apo abuzimet me cilësinë e ndërtimit, qeveria deklaroi nismën e parë që ishte ajo për sigurimin e ndërtimeve të reja nga ana e ndërtuesve për një periudhë 10-vjeçare. Sipas VKM-së, ndërtuesi/zhvilluesi/investitori i dorëzon blerësit, njëkohësisht me lidhjen e kontratës për kalimin e pronësisë së ndërtesës, një kontratë sigurimi me afat 10-(dhjetë) vjeçar me përfitues blerësin/blerësit dhe me efekt nga data e përfundimit të punimeve. Vendimi i qeverisë rregullon edhe tarifën vjetore të primit të sigurimit nuk mund të jetë më e ulët se 0.1 (zero pikë një) për qind e shumës së sigurimit/limit të përgjegjësisë së përcaktuar në kontratën e sigurimit. Pra, për një banesë që kushton 100 mijë euro, primi i sigurimit nuk mund të jetë më pak se 100 euro, duke vendosur në këtë mënyrë një çmim dysheme poshtë të cilit kompanitë e sigurimit nuk mund të ofrojnë policat e sigurimit. Por çfarë mbulon ky sigurim? AMF sqaroi në një vendim të tijin se shoqëria e sigurimit detyrohet të dëmshpërblejë të siguruarin/përfituesin për dëmtime të ndodhura drejtpërdrejt në ndërtesë, në rast të ndodhjes së: shembjes tërësore ose pjesore të ndërtesës; apo ndërtesa paraqet dukshëm rrezik për t’u shembur; defekteve serioze/të rënda në ndërtim, të cilat ndodhin si pasojë e problemeve të lidhura me të metat e tokës mbi të cilën është kryer ndërtimi ose për shkak të një apo disa defekteve të ndërtimit.
Nisma e dytë e qeverisë është ajo e sigurimit të detyrueshëm të pronës nga tërmeti. Sipas një drafti që qarkulloi në dhjetor të vitit të shkuar, por ende të pamiratuar, parashikohej një tarifë sigurimi 25 euro në vit për ndërtimet me beton të armuar dhe 15 euro për ndërtimet e tjera dhe respektivisht në rast dëmi, shuma që i kthehej qytetarit ishte 25 mijë euro për të parën dhe 15 mijë euro për të dytën. I njëjti draft parashikonte që këtë sigurim ta menaxhonte një agjenci e posaçme që do të ngrihej për këtë synim.






