Selvije Jao, bashkëshortja e këngëtarit të ndjerë Shpat Kasapi, ka prekur zemrat e ndjekësve me një dedikim shumë personal në 4-vjetorin e lindjes së djalit të tyre, Roel.
Kjo ditëlindje ka ardhur ndryshe nga të tjerat. Për herë të parë, vogëlushi e feston pa praninë fizike të të atit, pas ndarjes së papritur nga jeta të Shpat Kasapit më 26 nëntor të vitit të kaluar, një humbje që la pas dhimbje të thellë për familjen dhe admiruesit e tij.
Në një postim në Instagram, Selvija ka ndarë mallin dhe boshllëkun që mungesa e Shpatit ka lënë në këtë ditë të veçantë. Ajo shprehet se do të donte që ai të ishte aty për ta përqafuar të birin, për t’i sjellë dhurata dhe për ta bërë të buzëqeshte si çdo baba në ditëlindjen e fëmijës së tij. Në vend të kësaj, Roeli e feston përvjetorin duke parë fotografinë e të atit, ndërsa ajo përballet me dhimbjen e një përqafimi që nuk ndodhi kurrë.
Me fjalë të mbushura me ndjenjë, Selvija i premton të birit se nuk do t’i mungojë kurrë dashuria dhe mbështetja e saj. Ajo thekson se do të jetë forca e tij në çdo hap dhe se dashuria e babait do ta shoqërojë gjithmonë nga qielli.
Mesazhi i ndarë prej saj ka marrë mijëra reagime dhe komente mbështetëse. Ndjekësit kanë shprehur solidaritet, ngushëllime dhe urime për ditëlindjen e Roelit, duke e cilësuar dedikimin si një nga më prekësit e kohëve të fundit në rrjetet sociale.
“Gezuar ditëlindjen jeta ime!
Sot mbush 4 vjeç, Roel…
E unë do doja të ishte këtu babi yt.
Ta shihje me duart plot dhurata,
të të merrte në krahë fort
e të të përqafonte sikur bota të ndalej aty.
Sot ti e feston ditëlindjen duke parë fotografinë e tij,
dhe unë me dhimbjen që ai nuk arriti të të përqafojë edhe një herë.
Por biri im, mami është këtu.
Për të të dashur dyfish,
për të të mbajtur fort.
Babi yt të do nga qielli,
dhe mami i lutet Zotit
të jetë gjithmonë krahu yt.
Të dua fort biri im,arsyja që unë frymoj”, shkruan Selvije Jao.






