Ministri i Financave, Petrit Malaj, bëri të ditur se gati 1 miliard euro borxhe tatimore dhe doganore do të fshihen automatikisht sapo të hyjë në fuqi projektligji për fshirjen e detyrimeve tatimore dhe doganore.
Në Komisionin e Ligjeve, Malaj iu përgjigj pyetjeve të opozitës lidhur me borxhet më të vjetra se 10 vite, të krijuara para vitit 2014:
“Borxhi i krijuar përpara 2014-ës është 100 miliardë lekë, pra që prej viteve ’90 deri në 2014-ën. Ndërsa në fund të 2024-ës borxhi ka arritur deri në 160 miliardë lekë. Do të përfitojnë 202 mijë tatimpagues të cilët rezultojnë me borxhe,” tha Malaj.
Ministri prezantoi paketën fiskale për vitin 2026, që përfshin 8 projektligje dhe theksoi:
“Kjo paketë fiskale, në asnjë rast nuk parashikon rritje të taksave, përmbledh një kuadër fiskal transparent, më të thjeshtë, më eficient dhe që mbështet sektorët prioritar, si dhe forcon administrimin tatimor.”
Dy nisma kryesore: ‘Paqe Fiskale’ dhe fshirja e borxheve
Fokusi i ligjit është tek dy nismat ligjore të njohura si ‘Paqe Fiskale’, që i mundësojnë bizneseve me detyrime të papaguara tatimore:
-
Borxhet më të vjetra se 10 vite do të fshihen automatikisht.
-
Nuk bëhet fjalë për amnisti fiskale; nuk falen përgjegjësi penale dhe nuk jepet imunitet për ata që janë në hetim apo procese gjyqësore.
“Me projektligjin e Faljes së Detyrimeve Tatimore dhe Doganore, mbyllim kapitullin e borxheve të vjetra që tashmë janë parashkruar. Marrëveshja e paqes fiskale do të zbatohet për periudhën 2026-2028,” tha Malaj.
Projektligji përfshin edhe borxhet e krijuara nga janari 2015 deri në fund të 2024-ës:
-
Për borxhet me vjetërsi 5–10 vite, mund të paguhet 50% deri më 30 qershor 2026 ose 75% deri më 31 dhjetor 2026. Pjesa tjetër, përfshirë gjobat dhe kamatëvonesat, fshihet.
-
Për borxhet me vjetërsi 0–5 vite, do të fshihen gjobat dhe kamatëvonesat, kundrejt pagesës së 100% të detyrimit tatimor brenda 31 dhjetor 2026.
“Ky projektligj u ofron mundësi bizneseve dhe individëve që të çlirohen nga këto borxhe,” tha Malaj.
Marrëveshja e Paqes
Ministri prezantoi edhe projektligjin për ‘Marrëveshjen e Paqes’, që synon negocimin e fitimit dhe korrigjimin e pasqyrave financiare:
“Marrëveshja e paqes parashikon për shkallëzim në mungesë të normave tatimore. Përtej një rritje prej 18% të fitimit të tatueshëm do të aplikohet një normë e reduktuar tatimi prej 5%. Subjektet që do të futen në këtë marrëveshje, do të kenë të drejtë të kërkojnë vetëkorrigjim të pasqyrave financiare nëpërmjet rishikimit të tyre gjatë tre viteve të fundit, kundrejt pagesës së tatimit prej 5%,” tha ministri.
Shansi i fundit për të shpëtuar borxhet
Ministri Malaj nënvizoi se kjo është mundësia e fundit për bizneset për t’u çliruar nga detyrimet tatimore:
“Ritheksojmë se me këtë projekt nuk falim detyrime e papaguara për ata që janë në ndjekje penale apo hetime tatimore. Pas kësaj, do të nisë mbledhja e detyrimeve me forcë, duke aplikuar masa deri në bllokimin e llogarive bankare, konfiskime dhe shitje të aseteve për të siguruar pagesën e detyrimeve tatimore.”






