Eksperti i ekonomisë Ergis Sefa ka paralajmëruar për pasoja të mundshme në ekonominë shqiptare nëse konflikti ndërkombëtar vijon për disa javë të tjera. Ai shpjegoi se Shqipëria është një nga vendet që rrezikon më shumë të përballet me inflacion të importuar, për shkak të varësisë së lartë nga tregjet e jashtme.

Sipas Sefës, inflacioni nuk lidhet vetëm me faktorët e brendshëm ekonomikë, por edhe me zhvillimet në ekonomitë partnere. Shqipëria ka lidhje të forta tregtare me vendet e Bashkimit Europian, veçanërisht me Greqinë, Italinë dhe Gjermaninë. Nëse në këto vende rriten kostot e energjisë, gazit apo naftës, kjo rrit automatikisht edhe çmimin e produkteve që importohen në tregun shqiptar.

Ai theksoi se rritja e çmimit të energjisë dhe karburanteve në tregjet ndërkombëtare rrit kostot e prodhimit dhe transportit, të cilat më pas reflektohen drejtpërdrejt në çmimin përfundimtar që paguajnë konsumatorët.

Një nga sektorët që pritet të ndikohet më shpejt është ai i karburanteve. Sefa theksoi se një rol kyç në këtë situatë luan Ngushtica e Hormusit, një nga korridoret më të rëndësishme detare për tregtinë globale të energjisë.

Sipas tij, përmes kësaj ngushtice kalon një pjesë e madhe e naftës dhe një pjesë e konsiderueshme e fertilizatorëve që përdoren në bujqësi në të gjithë botën. Çdo vështirësi në transport apo në lëvizjen e anijeve në këtë zonë do të rrisë kostot e prodhimit bujqësor, gjë që më pas përkthehet në çmime më të larta për produktet ushqimore.

Eksperti shtoi  në emisionin “Kjo Javë” se ndikimi i rritjes së kostove nuk kufizohet vetëm te ushqimet apo karburantet. Edhe produkte të tjera të importuara, përfshirë artikuj kozmetikë dhe produkte të industrisë së lehtë, mund të shtrenjtohen për shkak të kostove më të larta të prodhimit dhe transportit.

Sefa bëri edhe një parashikim për tregun e karburanteve në Shqipëri. Sipas tij, nëse tensionet dhe lufta zgjasin më shumë se katër javë, çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare mund të kalojë nivelin e 100 dollarëve për fuçi. Një skenar i tillë do të sillte një rritje të ndjeshme të çmimit të karburanteve në vend.

Në këtë rast, ai parashikon që çmimi i naftës në Shqipëri mund të kalojë mbi 250 lekë për litër, duke krijuar presion të fortë mbi ekonominë familjare dhe bizneset.

Eksperti foli edhe për tregun e metaleve të çmuara, duke theksuar se në periudha pasigurie ekonomike investitorët dhe bankat qendrore shpesh i drejtohen arit si një formë sigurie për kapitalin.

Sipas tij, historikisht ari dhe argjendi kanë shërbyer si ruajtës të vlerës ekonomike dhe në çdo periudhë krize kërkesa për to rritet. Kjo është arsyeja pse çmimi i arit shpesh arrin nivele rekord kur ekonomia globale përballet me pasiguri.