Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka publikuar sot, 1 dhjetor, pagat orientuese për punonjësit e sektorit të ndërtimit. Në një njoftim zyrtar, institucioni i bën apel tatimpaguesve që të deklarojnë saktë pagat, për të shmangur kontrollet e thelluara dhe masat administrative që parashikon ligji.

“Në kuadër të planit sektorial për ndërtimin dhe luftën kundër informalitetit në paga, fokusi i Administratës Tatimore nga dhjetori 2025 do të jetë tek subjektet që deklarojnë paga më të ulëta se ato indikative ose kur ndryshimi i profesionit përdoret për të ulur artificialisht nivelin e pages”, njofton Drejtoria, duke bashkëngjitur një tabelë me pagat për secilin profesion në sektor.

Nga tabela rezulton se asnjë pagë nuk është më e ulët se 80 mijë lekë në këtë sektor, me përjashtim të sanitarëve, për të cilët parashikohen të paktën 60 mijë lekë. “Çdo deklarim nën pagën indikative e kategorizon tatimpaguesin si subjekt me risk”, paralajmëron Drejtoria e Tatimeve.

Sektori i ndërtimit ka shënuar rritje të konsiderueshme, veçanërisht në kryeqytet, dhe kjo ka sjellë shtim të punësimeve gjatë dekadës së fundit. Deri në qershor 2025, në këtë sektor janë të punësuar rreth 63 mijë persona, ku Tirana mban pjesën më të madhe të tyre.