Rritja e çmimit të bukës në Korçë ka shkaktuar reagime të forta nga qytetarët, të cilët raportojnë se një bukë masive ka arritur deri në 150 lekë. Deri pak ditë më parë, i njëjti produkt shitej me rreth 120 lekë, ndërsa aktualisht çmimi luhatet nga 140 në 150 lekë, në varësi të furrës dhe llojit të bukës.

Banorët shprehen se rritja ka qenë e menjëhershme dhe e papritur, duke rënduar ndjeshëm buxhetin familjar, sidomos për familjet me të ardhura të kufizuara.

Efekti zinxhir pas bllokimit të aksit

Kjo situatë vjen në një moment të vështirë për juglindjen e vendit, pas shembjes së aksit Librazhd-Prrenjas, që çoi në izolimin e zonës dhe devijimin e qarkullimit në rrugë alternative më të gjata.

Pronarë furrash argumentojnë se, megjithëse çmimi i miellit nuk ka ndryshuar, janë shtuar kostot e tjera si transporti, energjia elektrike dhe furnizimet dytësore. Sipas tyre, zgjatja e rrugëve dhe vështirësitë logjistike kanë ndikuar drejtpërdrejt në çmimin final për konsumatorin.

Rritja e kostove është reflektuar edhe në transportin ndërqytetas. Nëse më parë bileta nga Korça drejt Tiranës kushtonte 700 lekë të reja, tani ajo ka arritur në 1000 lekë. Shoferët justifikojnë çmimin me kohën më të gjatë të udhëtimit, rritjen e konsumit të karburantit dhe amortizimin e mjeteve.

Qytetarët shprehen të shqetësuar jo vetëm për shtrenjtimin aktual, por edhe për mundësinë që këto çmime të mbeten të pandryshuara edhe pas normalizimit të qarkullimit.

Rama: “Zero lidhje me korrupsionin”

Për situatën në aksin e bllokuar reagoi edhe kryeministri Edi Rama gjatë podkastit të tij Flasim. Ai theksoi se rrëshqitja e dheut është pasojë e kushteve gjeologjike dhe reshjeve intensive, duke mohuar çdo lidhje me korrupsionin.

Sipas Ramës, dëmtimi ka prekur segmentin e vjetër të rrugës dhe jo kantierin e ri në aksin Elbasan-Qafë Thanë. Ai e cilësoi situatën si një fenomen natyror, të lidhur me formacionet argjilore dhe terrenin e paqëndrueshëm malor, duke theksuar se raste të ngjashme janë regjistruar edhe në vende të tjera të rajonit për shkak të reshjeve të shumta dimërore.