Lidhja me kompaninë ‘2D Construction 2025’ dhe projekti 10 mln euro në Qerret

Zëdhënësja për Anti-Korrupsionin në Partia Demokratike e Shqipërisë, Genta Vangjeli, ka vijuar me akuza publike ndaj drejtoreshës së Tatimeve të Tiranës, Erilinda Lala, duke e lidhur atë me një çështje të dyshuar për shkelje ligjore dhe konflikt interesi.

Në një deklaratë për mediat, Vangjeli pretendoi se rasti në fjalë përfshin një projekt ndërtimi me vlerë rreth 10 milionë euro në zonën bregdetare të Qerret, për të cilin ngrihen dyshime mbi burimin e investimit dhe mënyrën e përfitimit të lejeve.

Sipas saj, karriera e Lalës, nga këshilltare në Ministrinë e Financave pranë Petrit Malaj deri në drejtimin e Tatimeve të Tiranës, shoqërohet me vendimmarrje dhe lëvizje financiare që, sipas opozitës, kërkojnë verifikim të thelluar.

Një nga pikat kryesore të ngritura është transferimi i aksioneve të kompanisë “2D Construction 2025” tek persona të afërt, një veprim që sipas Vangjelit mund të nënkuptojë përpjekje për të fshehur pronësinë reale. Po ashtu, ajo shtoi se kompania në fjalë dyshohet se ka përfituar leje ndërtimi në kundërshtim me rregullat e planifikimit urban dhe legjislacionin në fuqi.

Në deklaratë u theksuan edhe dyshime mbi deklarimin e pasurisë, duke përmendur mungesë transparence në burimet e të ardhurave dhe mospërputhje mes të dhënave financiare dhe aktivitetit ekonomik të subjekteve të lidhura.

Partia Demokratike e Shqipërisë kërkon hetim të menjëhershëm dhe të pavarur për rastin, si dhe marrjen e masave ligjore ndaj çdo zyrtari që mund të rezultojë i përfshirë. Deri më tani, nuk ka një reagim zyrtar nga institucionet përkatëse lidhur me këto pretendime.

Deklarata:

Një tjetër skandal i rëndë trondit administratën publike. Rasti i Drejtoreshës së Tatimeve Tiranë, Erilinda Lala, ekspozon një skemë të dyshuar për fshehje pasurie, konflikt interesi dhe lidhje me një projekt ndërtimi me vlerë 10 milion euro në bregdetin e Qerretit.

Nga këshilltare në Ministrinë e Financave, pranë ministrit Petrit Malaj, në krye të Tatimeve, karriera e saj përkon me lëvizje të dyshimta financiare dhe vendimmarrje që ngrenë pikëpyetje serioze. Transferimi i aksioneve të kompanisë ‘2D Construction 2025’ në moment të fundit, përmes personave të afërt dhe me miratim të bashkëshortit të saj, ngre dyshime për fshehje të pronësisë reale.

Në të njëjtën kohë, kjo kompani, pa kapital të lartë pasi pajiset me licencë ndërtimi, dyshohet se ka marrë leje në kundërshtim me planifikimin urban dhe ligjin në fuqi.

Edhe më alarmuese janë deklarimet e pasurisë.

Të ardhura të konsiderueshme, të padeklaruara qartë në burim, mungesë transparence për bizneset përkatëse dhe mospërputhje mes të dhënave financiare dhe realitetit ekonomik të kompanive të lidhura.

Ndërkohë, institucioni përgjegjës për kontrollin e pasurive vijon të heshtë dhe të mos marrë asnjë masë. Ky rast nuk është thjesht një shkelje individuale, por dëshmi e një sistemi të kapur, ku ligji zbatohet për qytetarët e zakonshëm dhe anashkalohet për zyrtarët e lidhur me pushtetin. Partia Demokratike kërkon transparencë të plotë, hetim të menjëhershëm dhe të pavarur, si dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të çdo zyrtari të përfshirë në këtë aferë.

foto galeri foto galeri