Vendimi i presidentit amerikan Donald Trump për të tërhequr kërcënimin për shkatërrimin e infrastrukturës energjetike të Iranit erdhi pas paralajmërimeve të forta nga aleatët e SHBA-së dhe vendet e Gjirit, të cilët në komunikime private theksuan rreziqet e një përshkallëzimi të tillë, raporton Bloomberg, duke cituar burime të informuara.
Trump deklaroi të hënën se i jep Iranit një afat pesëditor përpara se të ndërmarrë veprime, duke iu referuar kontakteve të reja me Teheranin që, sipas tij, mund të çojnë në një marrëveshje dhe në përfundimin e konfliktit.
Megjithatë, sipas Bloomberg, ky vendim u mor në një klimë shqetësimi të thellë midis partnerëve të SHBA-së, të cilët paralajmëruan se lufta po rrëshqet drejt një faze shkatërruese. Zyrtarë rajonalë theksuan se dëmtime të përhershme ndaj infrastrukturës iraniane do të rrisnin ndjeshëm gjasat që vendi të përfundonte si një shtet i dështuar pas konfliktit.
Tërheqja e Trump përkon edhe me një tjetër prioritet të tij: qetësimin e tregjeve. Njoftimi për pezullimin pesëditor dhe hapjen ndaj bisedimeve u bë pak përpara hapjes së tregjeve amerikane, duke sjellë rënie të çmimit të naftës Brent dhe rritje të indeksit S&P 500, si dhe të obligacioneve amerikane.
“Trump kishte nevojë për një mënyrë për t’u tërhequr nga një kërcënim që do të çonte në një përshkallëzim të ri, këtë herë ndaj infrastrukturës energjetike civile, çka mund të konsiderohej krim lufte,” deklaroi Dana Stroul, ish-zyrtare e Pentagonit për Lindjen e Mesme. “Nuk është rastësi që njoftimi për pauzën pesëditore dhe bisedimet erdhi pak para hapjes së tregjeve në SHBA.”
Sipas burimeve diplomatike të cituara nga Bloomberg, vende si Egjipti, Turqia dhe Pakistani po veprojnë si ndërmjetës mes SHBA-së dhe Iranit, ndërsa mbetet e paqartë nëse ekzistojnë negociata të drejtpërdrejta.
Trump deklaroi se përfaqësues iranianë kanë kontaktuar SHBA-në për të nisur bisedimet, pas kërcënimeve për goditje ndaj objekteve energjetike. “Negociojmë prej kohësh, por këtë herë e kanë seriozisht, dhe kjo falë punës së jashtëzakonshme të ushtrisë sonë,” tha ai.
Ai shtoi se bisedimet kanë përfshirë një zyrtar iranian, dhëndrin e tij Jared Kushner dhe këshilltarin Steve Witkoff, duke pretenduar se Teherani është i gatshëm të dorëzojë material bërthamor dhe të mos rifillojë programin e tij një pretendim që nuk është konfirmuar nga pala iraniane.
Ministria e Jashtme e Iranit i mohoi menjëherë këto pretendime, ndërsa kryetari i parlamentit iranian i cilësoi deklaratat e Trump si “lajme të rreme” që synojnë të ndikojnë tregjet.
Bloomberg thekson se aleatët evropianë janë veçanërisht të shqetësuar për një konflikt të zgjatur, që mund të shpërqendrojë burimet dhe vëmendjen nga lufta në Ukrainë, ndërsa vendet e Gjirit kanë paralajmëruar reagim nëse preken interesat e tyre energjetike.
Vetë Trump e pranoi dimensionin ekonomik të vendimit, duke deklaruar se “çmimi i naftës do të bjerë ndjeshëm sapo të arrihet një marrëveshje”.
Megjithatë, sipas analizës së Bloomberg, mbeten pikëpyetje serioze mbi qëndrueshmërinë e këtij kursi. Historia e lëvizjeve të paparashikueshme të Trump, taktikat negociuese të Iranit dhe precedentët ku bisedimet kanë shërbyer si mbulim për veprime ushtarake, rrisin skepticizmin për një zgjidhje të shpejtë.
Edhe reagimi i shpejtë i Teheranit dhe pretendimet për “fitore” thellojnë paqartësinë. Agjencia gjysmëzyrtare Fars raportoi se tërheqja e Trump lidhet me frikën nga sulme të mundshme ndaj infrastrukturës energjetike në të gjithë Azinë Perëndimore.
Analistët paralajmërojnë se pauza mund të forcojë edhe strategjinë e Iranit. “Kjo mund të përforcojë bindjen në Teheran se përmes kërcënimeve,veçanërisht ndaj infrastrukturës energjetike, mund të detyrojë SHBA-në të tërhiqet,” tha Jonathan Panikoff.
Ndërkohë, mbetet e paqartë nëse SHBA do të ndalë plotësisht goditjet ndaj objektivave ushtarake gjatë kësaj periudhe, ndërsa Izraeli vazhdon operacionet e tij, duke shmangur objektet energjetike.
Edhe pse Izraeli ishte informuar paraprakisht për vendimin e Trump, vazhdimi i operacioneve tregon se nuk ka ende një perspektivë të afërt për përfundimin e luftës.
Në të njëjtën kohë, vende si Turqia, Arabia Saudite dhe Omani po intensifikojnë përpjekjet diplomatike për të ulur tensionet, ndërsa shtetet e Gjirit kanë ashpërsuar paralajmërimet ndaj Iranit, duke theksuar se do të reagojnë nëse preken interesat e tyre.
Vendimi i Trump pasqyron një strategji të luhatshme: brenda pak ditësh ai ka sinjalizuar përshkallëzim, mundësi për operacione tokësore, de-eskalim dhe më pas një ultimatum të ri.
Si përfundim, sipas Bloomberg, situata mbetet thellësisht e paqëndrueshme, ku diplomacia, veprimet ushtarake dhe reagimet e tregjeve ndërthuren në një ekuilibër të brishtë.






