Teksa virusi ka ndalur aktivitetin në të gjithë botën, tani pyetja është se sa do të përkeqësohen gjërat. Më 14 prill, FMN paralajmëroi se recesioni global do të ishte një nga më të mëdhenjtë e shekullit, shkruan The Economist.
Por ashpërsia e pandemisë dhe pasiguria rreth kohëzgjatjes së bllokimeve kanë bërë që të mos jenë shumë të dobishme parashikimet e ekonomistëve, të cilët janë trajnuar për ciklet e biznesit në epokën e pasluftës. Disa kompani, si Starbucks dhe Dell, kanë hequr dorë nga objektivat e fitimeve vjetore, duke e lënë veten në mëshirë të fatit. Megjithatë, mes mjegullës, një gjë duket e sigurt: disa ekonomi do të vuajnë shumë më tepër se të tjerat.
Krizat ekonomike ekspozojnë dhe përkeqësojnë dobësitë strukturore.
The Economist ka analizuar të dhënat e PBB-së përgjatë pesë dekadave dhe ka zbuluar se normat e rritjes në vendet e pasura kanë prirjen të arrijnë nivele të ngjashme gjatë zgjerimeve, dhe kjo ndikon në nivele më të ulëta edhe ekonomitë më të dobëta. Megjithatë, gjatë rënieve ekonomike, performanca ndryshon dukshëm. Në gjysmën e parë të viteve 2000, hendeku mesatar vjetor midis niveleve të rritjes së PBB-së për vendet e pasura me performancë më të lartë dhe atyre me performancë më të ulët, ishte pesë pikë përqindje. Në vitet 2008-2012, gjatë recesionit që pasoi krizën globale financiare, ky hendek u zgjerua në dhjetë pikë.
Ky recesion nuk do të jetë ndryshe. Janë tre faktorë që ndihmojnë në dallimin e rezultateve të këqija ekonomike nga ato tepër të rënda: struktura industriale e një vendi; përbërja e sektorit të korporatave; dhe efikasiteti i stimulit fiskal. The Economist ka përdorur këta tregues për të renditur përafërsisht nivelin e rrezikut të rënies ekonomike për 33 shtete të pasura. Vendet e Europës Jugore, duket se janë shumë më të rrezikuara se Amerika dhe vendet e Europës Veriore (shiko grafikun).
Marrim së pari strukturën industriale. Masat izoluese do të dëmtojnë rëndë shtetet që varen nga aktivitetet e punës intensive. Vendet me sektorë të mëdhenj ndërtimi, siç janë shumë vende të Europës Qendrore, janë më të rrezikuara. Po kështu, edhe vendet që mbështeten në turizëm – ky sektor është një në tetë punët kryesore jofinanciare në Europën Jugore. Në të kundërt, vendet me industri të mëdha minerare, që kërkojnë më pak punë dore, mund t’ia dalin mbanë më mirë. Për shembull, Kanadaja duket relativisht e mbrojtur në këtë drejtim.
Struktura industriale gjithashtu ndikon në numrin e njerëzve që mund të punojnë nga shtëpia, duke shmangur përçarje të rënda gjatë izolimit. Në një studim të publikuar më 10 prill, Jonathan Dingel dhe Brent Neiman nga Universiteti i Çikagos, konstatuan se 45% e punëve në Zvicër mund të kryhen pa problem nga shtëpia. Shumë zviceranë punojnë në industri si financat, ku për të kryer punën, mjafton të kenë një laptop.
Të tjerë gjetiu nuk e kanë këtë luks. Më pak se një e treta e punëve në Sllovaki mund të kryhet në distancë, duke qenë se vendi është një qendër e madhe prodhuese; puna nga shtëpia është gjithashtu e vështirë në Europën Jugore. Një studim nga Indeed, një faqe interneti për kërkimin e vendeve të punës dhe nga Banka Qendrore e Irlandës, zbuloi se që nga fillimi i pandemisë, në vendet ku puna nga shtëpia është më pak e përhapur, ka pasur rënie më të mëdha në numrin e njoftimeve për punë.







