Një moment i pazakontë në reality show-n e njohur Për’puthen ka shkaktuar reagime të forta publike dhe institucionale. Gjatë një episodi të transmetuar së fundmi, opinionisti Laert Vasili u ngrit papritur nga vendi dhe iu afrua konkurrentes Esma, duke e puthur në buzë pa marrë më parë miratimin e saj.
Ngjarja u konsiderua e papranueshme nga drejtuesit e programit dhe televizioni Top Channel reagoi menjëherë, duke theksuar se një sjellje e tillë bie ndesh me standardet etike dhe profesionale që pretendon të promovojë emisioni. Si pasojë, produksioni vendosi largimin e menjëhershëm të opinionistit nga formati televiziv.
Sipas deklaratës zyrtare, çdo veprim që cenon kufijtë personalë të pjesëmarrësve konsiderohet shkelje serioze dhe nuk mund të justifikohet në asnjë rrethanë, pavarësisht rolit apo statusit të personit që e kryen. Produksioni theksoi se miratimi është thelbësor dhe nuk mund të nënkuptohet apo anashkalohet, veçanërisht në një ambient publik si televizioni.
Në reagimin publik, autorja dhe moderatorja Megi Pojani bëri të ditur se vendimi për përjashtimin e opinionistit është marrë për të qenë në përputhje me përgjegjësitë ndaj konkurrentëve dhe publikut. Ajo nënvizoi gjithashtu mbështetjen e plotë për konkurrenten e përfshirë në incident, duke garantuar se siguria dhe dinjiteti i çdo pjesëmarrësi mbeten prioritet absolut.
Sipas produksionit, programi do të vijojë transmetimin duke ruajtur standardet profesionale dhe duke garantuar një ambient të sigurt për të gjithë pjesëmarrësit. Teleizioni ritheksoi angazhimin për respektimin e etikës dhe përgjegjësisë sociale në çdo projekt televiziv.






