Një procedurë prokurimi e zhvilluar nga Bashkia Kavajë ka rikthyer në vëmendje debatin mbi transparencën dhe konkurrencën në tenderat publikë. Bëhet fjalë për një kontratë me vlerë 82 milionë lekë për furnizim me ushqime për Shtëpinë e të Moshuarve “Sefer Dervishi”.
Në këtë procedurë ka marrë pjesë vetëm një operator ekonomik, kompania “4S”, e cila ka paraqitur ofertë sa 97.5% e fondit limit. Në mungesë të konkurrencës, oferta është shpallur fituese.


Subjekti “4S” është në pronësi të Xhino Sinanit, djali i biznesmenit Shemsi Sinani. Emri i kësaj kompanie është përmendur më herët edhe në denoncime publike të Partia Demokratike e Shqipërisë lidhur me prokurimet në nivel qendror.
Në dhjetor 2024, zëdhënësja për Antikorrupsion e kësaj force politike, Genta Vangjeli, kishte ngritur akuza publike ndaj përfshirjes së kompanive të lidhura me familjen Sinani në tendera të Operatorit të Blerjeve të Përqendruara për sistemin e burgjeve. Në atë kohë, ajo theksonte se “4S shpk” figuronte në pronësi të djalit të Shemsi Sinanit, i cili ishte dënuar më herët për korrupsion në tendera.
Në rastin e fundit, tenderi është dhënë nga një bashki e drejtuar nga Fisnik Qosja, përfaqësues i së djathtës. Kjo ka nxitur diskutime mbi koherencën e qëndrimeve politike dhe praktikën e ndjekur në nivel vendor.
Përtej debatit politik, pikëpyetjet kryesore lidhen me mungesën e garës në procedurë dhe nivelin e ofertës, e cila afrohet maksimalisht me fondin limit. Deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga Bashkia e Kavajës mbi arsyet e pjesëmarrjes së vetme në këtë tender.






