Transporti publik në Tiranë dhe në disa qytete të vendit vijon të operojë me kapacitet të kufizuar, duke ofruar nga 40% deri në 60% të shërbimit normal. Vendimi është marrë pas një mbledhjeje të zhvilluar mes përfaqësuesve të operatorëve dhe drejtuesve të shoqatave të sektorit, në një situatë që po rëndohet nga rritja e kostove.

Sipas përfaqësuesve të operatorëve, reduktimi është një masë e detyruar për shkak të mungesës së mbështetjes financiare, ndërsa paralajmërohet se situata mund të përkeqësohet nëse nuk ka reagim nga institucionet përgjegjëse.

Kryetari i Shoqatës së Transportit Urban dhe Interurban, Dashnor Memaj, është shprehur se operatorët janë në pritje të një takimi me autoritetet për të shqyrtuar kërkesën për kompensim financiar. Ai theksoi se në mungesë të një zgjidhjeje konkrete, masat do të përshkallëzohen me reduktime edhe më të thella të shërbimit.

Operatorët kërkojnë kompensim deri në 100 lekë për litër karburant, pas rritjes së çmimit të naftës, një kërkesë që është dorëzuar që në fillim të muajit prill në formën e një pakete emergjente. Sipas tyre, pa këtë mbështetje, është e pamundur të ruhet niveli aktual i shërbimit.

Efektet e protestës janë ndjerë menjëherë. Në Tiranë, numri i autobusëve në qarkullim ka rënë ndjeshëm, ndërsa në rrethe situata paraqitet edhe më kritike. Shërbimi është reduktuar me rreth 50% në Durrës dhe Lushnjë, 60% në Vlorë dhe Berat, si dhe 40% në Peshkopi.

Shoqatat e transportit vlerësojnë se rritja e çmimit të naftës u ka shtuar kostot deri në 800 mijë euro në muaj, duke e bërë të papërballueshme vijimin normal të aktivitetit. Për këtë arsye, ato propozojnë një skemë kompensimi për një periudhë 6-mujore, me një fond të përgjithshëm rreth 3 milionë euro.

Përfaqësuesit e sektorit theksojnë se skema e propozuar është e ngjashme me atë të aplikuar gjatë krizës së vitit 2022 dhe konsiderohet lehtësisht e zbatueshme, pasi bazohet në dokumentacion të verifikueshëm si faturat e karburantit dhe deklarimet tatimore.

Përveç kompensimit financiar, operatorët kërkojnë edhe lehtësira fiskale, duke përfshirë heqjen e disa taksave mbi karburantin dhe uljen e TVSH-së, si masa të domosdoshme për të shmangur kolapsin e shërbimit.

Megjithëse kërkesat janë dorëzuar prej javësh pranë institucioneve përgjegjëse, deri më tani nuk ka një reagim zyrtar, ndërsa qytetarët vijojnë të përballen me vështirësi në lëvizje për shkak të mungesës së autobusëve.