Referencat e reja të apartamenteve në rrethe hyjnë në fuqi më 1 janar 2026, pritet rritje kostosh në bregdet dhe Kamëz
Çmimet e reja referuese për shitblerjen e apartamenteve në rrethe do të hyjnë në fuqi më 1 janar 2026, duke rritur automatikisht kostot për ndërtuesit – sidomos në zonat bregdetare dhe në Bashkinë e Kamzës.
Kryetari i Bordit të Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë, Erjon Harizi, thotë se rritja e referencave do të shoqërohet me shtim proporcional të taksës së ndikimit në infrastrukturë, pasi baza e llogaritjes lidhet me çmimin referues për metër katror. Sipas tij, kostoja shtesë do të reflektohet më pas edhe në çmimet finale të apartamenteve.
Rritjet më të forta parashikohen në Durrës, ku zona pranë portit (zona kadastrale 13) shënon rritje deri në 196%, ndërsa në Vlorë, Sarandë dhe Himarë rritjet arrijnë deri në rreth 79% në disa zona. Harta e re shton edhe 54 zona të reja kadastrale, duke e çuar totalin në 119 nga 65 që ishin më parë.
Ndërkohë, agjentët imobiliarë parashikojnë se kërkesa e të huajve në bregdet do të vijojë të mbajë presionin mbi çmimet edhe pas 2026-s, me ritme rritjeje vjetore të ndryshme sipas zonave.






