Çmimi i naftës në Tiranë ka pësuar një tjetër rritje këtë të martë, duke arritur deri në 202 lekë për litër në disa pika karburanti.
Krahasuar me një ditë më parë, rritja ka qenë deri në 6 lekë për litër.
Sipas të dhënave nga tregu me pakicë, ky është niveli më i lartë i shënuar që prej nisjes së lufta në Lindjen e Mesme.
Para kësaj periudhe, nafta tregtohej në intervalin 173–175 lekë për litër, duke shënuar një diferencë prej rreth 29 lekësh për litër.
Rritja e çmimit nisi më 4 mars, kur nafta arriti në 179 lekë për litër.
Në datat 10 dhe 11 mars, në disa raste ajo u shit nga 198 deri në 201 lekë për litër.
Në atë periudhë, qeveria njoftoi ngritjen e një task-force për monitorimin e tregut.
Pas këtij vendimi, çmimi pësoi një ulje të përkohshme, duke zbritur në 193–196 lekë për litër. Megjithatë, nga e hëna në të martë, trendi është kthyer sërish në rritje.
Ekspertët e shohin situatën si një tregues të një tregu të përqendruar, duke theksuar se monitorimi nuk është më i mjaftueshëm. Sipas tyre, kërkohen masa konkrete, përfshirë edhe aktivizimin e rezervave të sigurisë.
Lëvizjet e fundit të çmimeve po e mbajnë tregun nën presion, ndërsa nafta vijon të tregtohet në nivele më të larta krahasuar me ditët e para të marsit.






