Drejt licensimit banka e parë totalisht digjitale

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka dhënë miratimin paraprak për licencimin e “JET Bank” (Faza I), institucionit të ri financiar që synon të operojë si banka e parë plotësisht digjitale në vend. Vendimi u mor në mbledhjen e datës 3 dhjetor 2025.

“JET Bank” parashikon të sjellë një model të ri shërbimi në tregun bankar shqiptar, duke u mbështetur në teknologji të avancuar, procese të thjeshtuara dhe siguri të lartë, me fokus tek përvoja dhe nevojat e klientit. Banka synon të ofrojë shërbime tërësisht online, pa degë fizike, duke e diferencuar qartë nga modeli tradicional i bankave ekzistuese.

Gjatë mbledhjes, Këshilli Mbikëqyrës u informua gjithashtu mbi zhvillimet dhe proceset funksionale të përditshme të Bankës së Shqipërisë, në kuadër të mbikëqyrjes së sektorit financiar dhe ruajtjes së stabilitetit monetar në vend.