Rritja e çmimit të karburanteve ka detyruar qeverinë të ndërhyjë sërish në treg. Pas arritjes së nivelit 214 lekë për litër për naftën, është vendosur ngritja e Bordin të Transparencës dhe ndërmarrja e masave për kontrollin e çmimeve.

Vendimi u bë i ditur nga Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, gjatë një lidhjeje live në emisionin Top StoryTop Channel. Ajo shpjegoi se vendimi erdhi pas një analize të situatës në një mbledhje të zhvilluar në Kryeministri, ku morën pjesë edhe drejtues të tjerë të kabinetit.

Sipas saj, qeveria do të ndërhyjë drejtpërdrejt edhe në taksimin e karburanteve, duke ulur akcizën nga 40 lekë në 20 lekë për litër. Dy aktet përkatëse pritet t’i paraqiten për miratim Këshillit të Ministrave.

Në kuadër të mekanizmit të ri, është parashikuar një marzh fitimi i kufizuar për operatorët: 3 lekë për litër për tregtinë me shumicë dhe 12 lekë për pakicën. Qëllimi, sipas qeverisë, është të shmangen abuzimet dhe të garantohet stabilitet në çmime.

Bordi i Transparencës do të mblidhet sa herë që do të ketë luhatje të ndjeshme në tregjet ndërkombëtare, duke vendosur çmime tavan, të cilat nuk mund të tejkalohen nga tregtarët. Shkelja e këtyre çmimeve do të shoqërohet me masa ndëshkuese, deri në pezullimin e licencës për subjektet që nuk i respektojnë rregullat.