Qeveria ka parashikuar rikthimin e stacionit të trenit në Tiranë, me një kosto totale prej 1.8 miliardë lekësh. Sipas ndryshimeve të fundit në buxhetin e vitit 2025, të miratuara përmes Aktit Normativ, janë akorduar 364 milionë lekë që do të përdoren për nisjen e punimeve.
Në dokumentin shoqërues të projektit theksohet se segmenti i ri hekurudhor do të ketë një gjatësi prej 4 kilometrash, duke filluar nga terminali i transportit publik pranë kthesës së Kamzës dhe përfunduar në zonën ku më parë ndodhej stacioni qendror i trenit në kryeqytet.
Linja Tiranë–Durrës–Rinas drejt përfundimit
Punimet për linjën hekurudhore Tiranë–Durrës–Rinas pritet të përmbyllen gjatë vitit të ardhshëm, ndërsa sipas autoriteteve, elektrifikimi dhe nisja e operimeve me trenat e rinj do të realizohen në tremujorin e parë të vitit 2027.
Aktualisht janë në zbatim dy kontrata kryesore – një për ndërtimin e linjës dhe sistemin e sinjalizimit e telekomunikacionit, dhe një tjetër për ndërtimin e stacioneve përgjatë itinerarit.
Sipas të dhënave nga Hekurudha Shqiptare, punimet në kontratën e parë janë 90% të përfunduara, ndërsa mbetet të përmbyllen instalimet e brendshme të sistemeve të komunikimit dhe sinjalizimit, të cilat varen nga ecuria e punimeve të godinave të stacioneve.
Në anën tjetër, ndërtimi i stacioneve të reja është realizuar vetëm në 25%, me objektivin që të përfundojë në maj të vitit 2026. Paralelisht, po zhvillohet një tender me dy faza për elektrifikimin e linjës, proces i cili menaxhohet nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Stacioni i ri i Tiranës, gati për tenderim
Pas miratimit të fondeve shtesë në buxhet, autoritetet pritet të shpallin garën tenderuese për përzgjedhjen e kompanisë që do të ndërtojë segmentin 4 kilometra dhe godinën e re të stacionit të trenit në kryeqytet.
Ky projekt konsiderohet një hap simbolik për rikthimin e transportit hekurudhor urban në Tiranë, pas më shumë se një dekade mungese.






